(mesazh me rastin e Kurban Bajramit, 2025)
Nga H. Afrim Tahiri
Të nderuar vëllezër e motra, besimtarë dhe besimtare të përkushtuar!
Në këto ditë të bekuara të Kurban Bajramit, zemrat tona mbushen me një ndjesi të thellë përulësie, mirënjohje dhe besimi. Ky festim i shenjtë, që vjen në kulmin e sakrificës së Ibrahimit a.s., na kujton përkushtimin absolut ndaj Allahut të Plotfuqishëm dhe domosdoshmërinë e flijimit për të vërtetën, drejtësinë dhe të mirën e përgjithshme.
Kurban Bajrami nuk është vetëm një rit apo një zakon që përsëritet çdo vit. Ai është një thirrje shpirtërore që na kujton se feja nuk është vetëm në fjalë, por në veprim; jo vetëm në lutje, por edhe në përpjekje për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të moralshme dhe më të ndershme. Në këtë dritë, flijimi i kurbanit është simbol i gatishmërisë sonë për të vënë në shërbim të Zotit dhe të komunitetit më të mirën prej vetes.
Allahu i Lartësuar në Kur’anin Famëlartë thotë:
“As mishi i tyre e as gjaku i tyre nuk i arrin Allahut, por Ai pranon prej jush vetëm devotshmërinë.” (El-Haxh, 37)
Ky ajet kuranor na kujton se thelbi i çdo adhurimi është sinqeriteti, dëlirësia e qëllimit dhe përkushtimi i zemrës. Pikërisht këtë vlerë ne synojmë ta ruajmë dhe ta rrisim në mesin e komunitetit tonë – që devotshmëria të mos mbetet fjalë e zbrazët, por të jetë frymë që e ndriçon çdo hap të jetës sonë.
Në këtë atmosferë të shenjtë të Kurban Bajramit, është e pamundur të mos ndalemi me përulësi edhe mbi përpjekjet tona për një reformë gjithëpërfshirëse në Bashkësinë Fetare Islame të vendit tonë. Reforma nuk është aspak një mjet pushteti, as një synim për ndikim apo lavdi. Ajo është një sakrificë morale dhe shpirtërore, që lind nga dhembja për devijimet në BFI, nga përgjegjësia për heshtjen teologjike para skandaleve të njëpasnjëshme, dhe nga detyrimi i ndërgjegjes fetare për ta thirrur të drejtën me emrin e saj dhe në emër të Krijuesit tonë. Ne nuk kërkojmë të poshtrojmë dikë, por të pastrojmë të keqen; nuk veprojmë për ndasi, por për kthim te origjina e pastër e Islamit dhe e interesit kombëtar – në shërbim të Zotit dhe të robërve të Tij, i cili fare qartë na ka treguar se, nese populli nuk përpiqet ta ndryshojë vetëveten, nuk do ta ketë ndihmën e Tij për atë ndryshim aq të nevojshëm!
Reforma është një kurban në vetvete – një flijim i rehatisë personale, i interesave të ngushta dhe i qetësisë së rreme, në mënyrë që të shpëtohet ajo që është e përbashkët, e shenjtë dhe e përbashkët për të gjithë: institucioni që duhet të mishërojë mëshirën e fesë, e jo të bëhet streha e padrejtësisë dhe e analfabetizmit funksional. Në këtë kuptim, përballja me padrejtësitë, me abuzimin, me formën pa përmbajtje, është një akt besimi – është vetë përkushtimi i Ibrahimit a.s. që pranon të sakrifikojë të shtrenjtën për hir të urdhrit hyjnor.
Le të kuptohet se çdo hap për reformë është një lloj kurbani, sepse përballë të kotës, të devijuarës dhe të deformuarës, heshtja është më e lehtë se fjala, ndërsa qëndrimi është më i dhimbshëm se largimi. Por ne kemi zgjedhur të qëndrojmë. Dhe për këtë qëndrim, kërkojmë vetëm pranimin e Allahut dhe mirëkuptimin e atyre zemrave që ende digjen për Islamin e pastër, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Në këtë Kurban Bajram, ndërsa myslimanët anekënd botës përjetojnë ndjesinë e bashkimit dhe të mëshirës hyjnore, ne gjithashtu ndiejmë barrën e përgjegjësisë që na bie si udhëheqës, aktivistë dhe reformatorë në rrugën e fesë. Fryma e reformës nuk lind nga zemërimi, por nga dashuria; jo nga ndarja, por nga dëshira për ta kthyer bashkësinë tonë në rrënjët e saj të pastra – në Islamin e mëshirës, drejtësisë dhe diturisë.
Pejgamberi ynë, Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura te Allahu sesa në këto dhjetë ditë (të Dhul-Hixhxhes).” (Hadith i transmetuar nga Buhariu)
Prandaj, le të jetë ky Bajram një pikë kthese për secilin prej nesh – një moment reflektimi dhe vendosmërie për të punuar edhe më shumë në drejtim të pastrimit shpirtëror, forcimit të lidhjes me Krijuesin dhe përmirësimit të gjendjes së komunitetit tonë. Ju ftoj t’i lutemi Allahut Mëshirëplotë për paqe e shpëtim të qindra mijëra shpirtërave të pastër e të pafajshëm që edhe në këtë Ditë të Bekuar po vriten lagjeve gërmadha të Palestinës!
Në emrin tim personal dhe në emër të Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së, ju uroj Kurban Bajramin me lutjen që Allahu t’jua pranojë kurbanët, t’jua pastrojë zemrat, haxhilerëve t’ua pranojë lutjet e këtë farz islam dhe t’ju dhurojë paqe, begati dhe unitet në familjet tuaja.
Allahu na bashkoftë në të vërtetën dhe në mëshirën e Tij!
(Autori është Drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)