Trump largohet para kohe nga Samiti i G7-ës, përplasjet me Macron dhe paralajmërimi dramatik për Iranin

SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është larguar para kohe nga samiti i G7-ës, pasi sugjeroi se së shpejti mund të arrijë një marrëveshje me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit aktual.
Udhëheqësit e G7-ës në takim bënë thirrje për një zgjidhje të krizës në Lindjen e Mesme në një deklaratë të përbashkët, të cilën një zyrtar i njohur me çështjen tha se kishte fituar mbështetjen e Trump pasi gjuha në draft u rregullua.
Presidenti amerikan gjithashtu u dha udhëzime anëtarëve të ekipit të tij që të përpiqen të takohen me zyrtarët iranianë sa më shpejt të jetë e mundur, sipas një personi të njohur me çështjen dhe një zyrtari amerikan. Por Trump gjithashtu i paralajmëroi iranianët të evakuohen nga Teherani , duke nënvizuar rrezikun për 10 milionë banorët e tij .
Pas largimit të hershëm nga samiti i G7-ës, Trump kritikoi ashpër Presidentin francez Emmanuel Macron, duke thënë se homologu i tij gabimisht sugjeroi se ai po kthehej në Uashington për të punuar për një armëpushim.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili kërkonte publicitet, gabimisht tha se unë u largova nga Samiti i G7-ës në Kanada për t’u kthyer në Uashington për të punuar për një ‘armëpushim’ midis Izraelit dhe Iranit”, shkroi Trump në Truth Social.
“Gabim! Ai nuk e ka idenë pse jam tani duke shkuar në Uashington, por sigurisht që nuk ka të bëjë fare me një armëpushim”, vazhdoi ai. “Për dicka shumë më të madhe se kaq. Qoftë me qëllim apo jo, Emmanueli gjithmonë gabon. Qëndroni në kontakt!”
Më parë, Macron tha se Trump kishte bërë një ofertë për një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit.
“Është bërë një ofertë, veçanërisht për të pasur një armëpushim dhe për të filluar diskutime më të gjera”, u tha Macron gazetarëve në samitin e G7 në Kananaskis të Kanadasë.
“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të arrijnë një armëpushim, kjo është një gjë shumë e mirë dhe Franca do ta mbështesë atë dhe ne e dëshirojmë këtë”, tha Macron, duke folur në frëngjisht.