Ukraina ka thënë se ka goditur me eksplozivë nënujorë urën kyçe që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Moska, vetëm dy ditë pas një vale sulmesh me dronë thellë në territorin rus, si pasojë e së cilës u dëmtuan dhjetëra bombardues rusë me rreze të gjatë veprimi.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) tha më 3 qershor se një operacion që ishte përgatitur për disa muaj, ka rezultuar në vendosjen e gjithsej 1.100 kilogramëve eksplozivë në bazamentet mbajtëse të urës në Ngushticën e Kërçit.

Në faqen zyrtare të SBU-së është publikuar një video – e verifikuar nga Radio Evropa e Lirë – që tregon një shpërthim të madh nën urë, megjithatë ende nuk është e qartë shkalla e dëmeve që ka shkaktuar shpërthimi.

SBU tha se ura është “në gjendje emergjente”. Autoritetet ruse thanë më herët gjatë ditës se kishin pezulluar përkohësisht trafikun rrugor mbi të, por më vonë u pa se automjetet kishin rifilluar qarkullimin.

Ura 19 kilometra e gjatë e Kërçit, e cila mundëson trafik rrugor dhe hekurudhor, u ndërtua nga Rusia dhe u hap në vitin 2018 – katër vjet pas aneksimit të paligjshëm të Gadishullit nga Moska – dhe shërben si rrugë furnizimi për forcat ruse që mbajnë të pushtuara pjesë të jugut të Ukrainës.

Kjo urë është dëmtuar nga sulmet ukrainase edhe në tetor të vitit 2022 dhe në korrik të vitit 2023 dhe është mbyllur disa herë për shkak të incidenteve të sigurisë.

“Asnjë objekt rus i paligjshëm nuk ka vend në territorin e shtetit tonë. Prandaj, ura e Krimesë [Kërçit] është një objektiv plotësisht legjitim, veçanërisht duke pasur parasysh se armiku e përdorte si rrugë logjistike për furnizimin e trupave të tij”, tha kreu i SBU-së, Vasyl Malyuk, duke theksuar se nuk ka pasur viktima civile.

“Krimea është Ukrainë dhe çdo shfaqje e okupimit do të marrë përgjigjen tonë të ashpër”.

Ky është sulmi i fundit i Ukrainës ndaj objektivave ruse në territoret e kontrolluara nga Moska.

Më 1 qershor, SBU njoftoi se kishte ndërmarrë një sulm të madh me dronë në thellësi të territorit rus, duke goditur më shumë se 40 bombardues me rreze të gjatë veprimi, të cilët Moska i ka përdorur që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e quajti sulmin me dronë si “sukses absolutisht të shkëlqyer” të një operacioni që kishte marrë më shumë se 18 muaj për t’u përgatitur.

Ai nuk ka komentuar ende për sulmin ndaj urës së Kërçit. Nga Kremlini, deri më tani, nuk ka ndonjë reagim zyrtar./REL