Kryetarja e Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët (FRASH), Yllka Nuredini, ka reaguar ashpër ndaj një grupi individësh që janë paraqitur në opinion publik në emër të këtij forumi. Në një postim në Facebook, Nuredini theksoi se ky grup nuk përfaqëson FRASH-in legjitim, por është një improvizim që përfaqëson vetëm interesa personale të disa individëve brenda udhëheqësisë së partisë. “Ajo nuk ishte FRASH. Ishte një improvizim që përfaqëson vetëm interesat personale të individëve të caktuar të asaj udhëheqësie të partisë”, shkruan Nuredini.

Ajo ka theksuar se FRASH-i ka struktura funksionale, përfaqësim legjitim dhe qëndrim të qartë si një organ autonom që është pjesë e koalicionit VLEN. “Nuk lejojmë që emri ynë të përdoret për llogari të askujt që kërkon të krijojë kaos e konfuzion tek populli”, vijon reagimi i saj.

Nuredini ka kritikuar ashpër edhe Aleancën për Shqiptarët, duke e akuzuar për bllokim të punës së koalicionit përmes bojkotimit të komisioneve kadrovike dhe mungesës së transparencës ndaj strukturave të veta. “Nëse keni pak ndërgjegje politike, protestoni para shtëpisë së kryetarit. Aty është burimi i këtij bllokimi që sot e quani ‘deshqiptarizim’ që në fakt është sabotim i brendshëm”, ka shtuar ajo.

Në fund të reagimit, ajo ka theksuar se FRASH nuk do të heshtë më përballë keqpërdorimeve. “FRASH nuk shantazhohet, nuk keqpërdoret, FRASH nuk hesht më. FRASH nuk është vegël e disave që nuk dinë të reflektojnë”, përfundon ajo.