Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka sfiduar homologun e tij rus, Vladimir Putin për të nënshkruar një armëpushim për dhënie fund të luftimeve, teksa dy palët punojnë për të organizuar një takim për paqe afatgjatë, pas më shumë se tre vjetëve të luftës së nisur nga Moska.

Duke folur në një konferencë për media në Kiev, më 4 qershor, Zelensky ka thënë se një takim i tillë mund të përfshijë presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe presidentin amerikan, Donald Trump, meqë dy runde takimesh mes delegacioneve të nivelit më të ulët nuk kanë arritur sukses në dhënien fund të luftës.

“Ne jemi gati për shkëmbim, mirëpo për t’i vazhduar takimet diplomatike në Stamboll në një nivel që nuk çon asgjë përpara, më duket diçka pa asnjë kuptim”, ka thënë Zelensky.

“Propozimi im, që besoj se mund të mbështesin partnerët tanë është që u propozojmë rusëve armëpushim derisa të takohen liderët. Ne jemi për një takim të tillë kurdo”, ka shtuar ai.

Thirrja e Zelenskyt për një takim vjen pas bisedimeve të zhvilluara më 2 qershor në Stamboll – rundi i dytë i negociatave ballë për ballë mes dy palëve në tre vjetët e fundit – të cilat nuk kanë rezultuar me sukses.

Delegacionet vetëm i kanë këmbyer propozimet për marrëveshjen për paqe.

Mes tjerash, Ukraina ka bërë thirrje për armëpushim 30-ditor pa asnjë kusht, plus këmbimin e të gjithë të burgosurve, si dhe kthimin e fëmijëve ukrainas, të cilët Kievi deklaron se janë marrë peng nga Rusia.

Propozimi i Rusisë, në anën tjetër, bën thirrje për njohje ndërkombëtare të Krimesë, gadishullit ukrainas që Moska e ka aneksuar më 2014, si dhe të katër rajoneve ukrainase që janë pushtuar pjesërisht nga forcat ruse.

Zelensky e ka akuzuar Kremlinin se nuk ka qenë serioz për negociim të marrëveshjes për paqe – akuzë e përsëritur edhe nga shtete tjera – duke thënë se e gjitha është lojë për të penguar Uashingtonin në zbatimin e rundit të ri të sanksioneve të ashpra ekonomike ndaj Rusisë.

Duke iu përgjigjur komenteve të Zelenskyt, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i ka hedhur poshtë deklaratat, duke thënë se procesi i bisedimeve direkte ka qenë duke funksionuar dhe ka prodhuar rezultate.

Lavrov ka thënë se Moska nuk duhet të bjerë në “provokimet kriminale” të Ukrainës dhe t’i shfrytëzojë negociatat dhe të gjitha mënyrat tjera për t’i arritur qëllimet e veta në Ukrainë./REL