Angazhimi i drejtpërdrejtë dhe vendosmëria e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, ka sjellë një fitore konkrete për nxënësit dhe prindërit shqiptarë të fshatit Nerovë të Krushevës, njofton Flaka
Pas vizitës së tij në këtë lokalitet javën e kaluar, ku dëgjoi shqetësimet e banorëve dhe premtoi përkrahje të plotë, ambasadori Meidani veproi menjëherë. Madje, në prani të banorëve, ai komunikoi drejtpërdrejt me zëvendëssekretarin për punë të përgjithshme në Qeveri, duke insistuar që çështja e shkollës të futet në rend dite të mbledhjes së ardhshme të ekzekutivit.

Kjo ndërhyrje ka prodhuar rezultat konkret: Qeveria ka miratuar vendimin që hap rrugën për legalizimin e objekteve shkollore në Nerovë, duke lejuar regjistrimin e pronës shtetërore në të cilën ndodhen objektet arsimore dhe kalimin e saj në pronësi të Komunës së Krushevës.
Si do të vijojë procesi?
- Parcela ku ndodhen dy objektet shkollore do të futet në planin urbanistik.
- Ajo do të kalojë në pronësi të Komunës së Krushevës.
- Pas kësaj, objektet do të legalizohen sipas procedurave përkatëse.
- Më pas, Ministria e Arsimit, në koordinim me komunitetin lokal, do të vendosë për mënyrën më të përshtatshme të organizimit të mësimit.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm për më shumë se 120 nxënës shqiptarë të shkollës fillore “Nikolla Karev”, të cilët deri tani mësonin në kushte jo të përshtatshme. Kur banorëve iu ndalua ndërtimi i objektit të ri – të ngritur me vetëfinancim – ata protestuan dhe fëmijët bojkotuan mësimin.
“Merita të posaçme i takojnë edhe Ambasadorit të Shqipërisë për përkrahjen dhe vizitën që na bëri në këtë shkollë, vizitë që dha edhe rezultatet e para konkrete,” – u shpreh Bexhet Babloku nga Bashkësia Lokale e Nerovës.
Ambasadori Meidani ka dëshmuar se diplomacia mund të jetë e ndjeshme dhe efikase, kur vendoset në funksion të të drejtave themelore siç është arsimi. Me këtë angazhim konkret, ai jo vetëm ka forcuar besimin e qytetarëve shqiptarë në institucionet, por ka dhënë një shembull pozitiv të përfaqësimit dinjitoz e veprues.
Shkolla në Nerovë nuk është më një ëndërr e bllokuar – falë bashkëpunimit të komunitetit dhe përkrahjes së ambasadorit Meidani, ajo po bëhet realitet.