Zëvendëskryeministri Arben Fetai, iu ka bërë thirrje tre deputetëve të Aleancës për Shqiptarët në krahun e Arben Taravarit– Halil Snopçe, Sadik Beqiri dhe Rijad Shaqiri, të kthejnë mandatet që i fituan në emër të ndryshimit, pasi sipas tij subjekti i tyre po shkon në zgjedhje në koalicion me BDI-n.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Fetai i cilësoi veprimet e tyre si tradhti ndaj vullnetit të anëtarësisë së ASH-së dhe mbi 107,000 qytetarëve që votuan koalicionin VLEN në zgjedhjet e fundit.
“Rrena i ka këmbët e shkurtra. Ende pa u mbushur një muaj, u ranë maskat tradhtarëve të vullnetit të anëtarësisë së ASH-së dhe 107,000 votuesve të koalicionit VLEN. Halil, Sadik dhe Rijad – nëse ju ka mbetur sadopak dinjitet, ktheni mandatet që i fituat në emër të ndryshimit! Populli ju votoi për ta çuar BDI-në në opozitë, jo për t’u ulur në prehrin e Ali Ahmetit.”, shkroi Fetai.