BDI: Edhe pas reagimeve, diaspora shqiptare mbetet e përjashtuar – Qeveria e VLEN dhe VMRO-së njeh vetëm “diasporën maqedonase”

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatë të thellë ndaj qasjes selektive, përjashtuese dhe të qëllimshme të Qeverisë aktuale ndaj diasporës shqiptare në anketën e prezantuar nën titullin “Anketa për diasporën maqedonase 2025”.
Vetëm pas reagimit tonë të fortë gjatë ditës së djeshme, kjo qeveri pa legjitimitet etnik, nxitimthi u detyrua të përkthejë anketën edhe në gjuhën shqipe. Por ky përkthim nuk e zhbën faktin thelbësor: diaspora shqiptare nuk njihet, nuk përmendet dhe nuk përfaqësohet. Anketa, siç mund të shihet lehtësisht në versionet maqedonisht dhe anglisht të shpërndara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe përfaqësitë diplomatike, flet vetëm për “diasporën maqedonase” – “Makedonska dijaspora” dhe “Macedonian diaspora”, siç mund të vërtetohet në linkun vijues:
https://www.surveymonkey.com/r/LP58SGG?fbclid=IwY2xjawLtaVtleHRuA2FlbQIxMQABHvw7pOJSw-Iz0MBRcU7oQEXFCQqqcJLVcYjdgzQNuIB1heuwojQ7BClN-tG3_aem_CC2NN7hdfIEJDzz6XUMV8g
Ky formulim nuk është i rastësishëm dhe nuk është teknik. Siç përcaktohet qartë në Marrëveshjen e Prespës, mbiemri “maqedonas/maqedonase” është përkufizim etnik dhe jo shtetëror. Rrjedhimisht, përdorimi i këtij termi në dokumente dhe anketa shtetërore nënkupton përjashtimin automatik të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera jo-maqedonase. Ky nuk është vetëm përjashtim, është diskriminim i strukturuar dhe sistematik.
Në fakt, kjo praktikë është tashmë e institucionalizuar nga kjo qeveri, dhe mund të gjendet në të gjithë programin qeveritar, ku përdoren terma si “qeveria maqedonase”, “arsim maqedonas”, “kultura maqedonase”, “kuvendi maqedonas”, duke i dhënë karakter monoetnik institucioneve që duhet të jenë shumetnike.
Potencojmë publikisht: nuk ekzistojnë shqiptarë maqedonas, siç shpesh e quan VMRO-ja koalicionin VLEN. Ata për të qëndruar në pushtet mund të pranojnë një gjë të tillë, por populli nuk e pranon dhe s’mund ta pranojë.
BDI kërkon me urgjencë tërheqjen e anketës në formën aktuale në verzionin maqedonisht dhe anglisht, rikonceptimin e saj me terminologji neutrale shtetërore dhe përfshirëse, njohjen eksplicite të diasporës shqiptare dhe komuniteteve të tjera joshumicë si pjesë përbërëse e shtetit.
Ne ritheksojmë se shqiptarët janë qytetarë të barabartë të këtij shteti, dhe BDI nuk do të lejojë që ata të injorohen, përjashtohen apo të trajtohen si të padukshëm, as brenda vendit dhe as jashtë tij.