Sot, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) permes Nënkryetarit Arbër Ademi ka ritheksuar fuqishëm kërkesën për zbatimin e procesit të vetingut në të gjitha nivelet e funksioneve publike në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar si një hap të domosdoshëm për ndërtimin e besimit qytetar në drejtësi, institucione dhe shtet informon Tetovasot .

“Procesi i vetingut është jetik për të rikthyer besimin në drejtësi dhe funksionimin e shtetit. Kjo është kërkesë e kahershme e BDI-së dhe mbetet një qëndrim i pandryshueshëm”, thuhet në deklaratën e lëshuar sot nga partia.

BDI kërkon:

Mbështetjen e propozim-ligjit për veting me mbikëqyrje ndërkombëtare, si proces gjithëpërfshirës dhe i pakompromis.

Hetim të plotë për të gjitha partitë politike gjatë periudhës së 33 viteve të fundit, pa përjashtime.

Verifikim të pasurisë së të gjithë funksionarëve publikë – ministra, deputetë, kryetarë komunash, gjyqtarë, prokurorë – për periudhën e njëjtë.

Hetim të thelluar të procesit të privatizimit, si burim i krijimit të oligarkëve të paprekshëm.

Hetim për veprimtarinë e shërbimeve të sigurisë së shtetit, nga OZNA e deri tek agjencitë aktuale si ANB.

“Ky nuk është vetëm një projekt politik. Ky është kusht për drejtësi dhe për një të ardhme më të ndershme për të gjithë”, theksohet në deklaratë.

BDI u bën thirrje publike të gjitha partive parlamentare që:

Të mbështesin zyrtarisht vetingun dhe të kërkojnë nga Prokuroria Publike hetim për çdo funksionar të tyre.

Të distancohen nga çdo formë e mbrojtjes së funksionarëve që mund të kenë fshehur pasuri apo të kenë qenë pjesë e abuzimeve institucionale.

Të kërkojnë nga kryeministri që t’i bashkohet nismës së BDI-së, sepse “heshtja është bashkëpërgjegjësi për rrënimin e kredibilitetit të institucioneve”.

Mesazhi përmbyllës i deklaratës:
“Ne nuk kemi ardhur në politikë për të heshtur përballë padrejtësive. Sado që ka kundërshtime, vetingu do të ndodhë!”.Tetovasot

Reagimi i plotë i Nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademi:

Sot jemi këtu për të ritheksuar dhe përforcuar qëndrimin e palëkundur të Bashkimit Demokratik për Integrim se procesi i vetingut është i domosdoshëm dhe jetik për të ndërtuar besimin e qytetarëve në drejtësi, institucione dhe shtet.

Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pandryshueshëm:

• ⁠U bëjmë thirrje, të gjitha partive politike parlamentare që të mbështesin propozim-ligjin e BDI-së për veting me mbikqyrje ndërkombëtare, një proces gjithëpërfshirës dhe i pakompromis, që do të rikthejë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe institucione.

• Ritheksojmë vendimin tonë të kahershëm për hetim ndaj të gjitha partive politike, pa përjashtim, për periudhën e 33 viteve të fundit.

• ⁠Kërkojmë verifikimin dhe kontrollin e prejardhjes së pasurisë për të gjithë bartësit e funksioneve publike në 33 vitet e fundit: ministra, deputetë, kryetarë komunash, drejtorë, gjyqtarë, prokurorë – të gjithë, pa asnjë dallim;

• ⁠Ritheksojmë nevojën për hetim të thelluar të procesit të privatizimit, që në shumë raste shërbeu si bazë për krijimin e oligarkëve të paprekshëm. Ky kapitull i errët nuk mund të mbetet i pazbardhur. Drejtësia nuk matet me deklarata, por me vendime konkrete.

• ⁠Kërkojmë poashtu hetim për veprimtarinë e organeve të sigurisë së shtetit dhe për funksionarët në sigurim të shtetit që kanë punuar nga viti 1945 e këtej, si OZNA, UDB-ja, SDB-ja, DBK-ja, UBK-ja, ANB-ja.

Ky nuk është vetëm një projekt politik, e as kërkesë e kahershme e BDI-së, por është kusht për drejtësi dhe për një të ardhme më të ndershme për të gjithë.

Ndaj, sot, nga këtu:

• U bëjmë thirrje të gjitha partitë politike në vend që të ndjekin shembullin e BDI-së: Të kërkojnë zyrtarisht nga Prokuroria Publike hetim dhe veting për çdo funksionar të vetin, në çdo nivel të funksionit publik. Nëse nuk kanë çfarë të fshehin, le ta dëshmojnë!

• Dhe po ashtu, u bëjmë thirrje edhe atyre që sot janë në pushtet e që heshtin, që të kërkojnë nga kryeministri që ti bashkëngjitet menjëherë nismës së BDI-së për veting të plotë. Heshtja ndaj kësaj çështjeje është bashkëpërgjegjësi për rrënimin e kredibilitetit të institucioneve.

Ne nuk kemi ardhur në politikë për të heshtur përballë padrejtësisë dhe temave me rëndësi jetike për vendin.

Sado që ka kundërshtime, Vetingu do të ndodhë.