Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, e akuzoi Vetëvendosjen për bllokim të qëllimshëm të institucioneve dhe tentim për përmbysje të rendit kushtetues, gjatë fjalimit në foltoren e Kuvendit pas dështimit të 49-të të konstiuimit.

Në një deklarim nga foltorja e Kuvendit, mikrofonin e së cilës e lëshoi nënkryetarja nga radhët e PDK-së, Sala Jashari, Behrami u shpreh se partitë që kanë mbetur në sallë – PDK, LDK dhe AAK – janë parti që e krijuan Republikën e Kosovës, ndërsa sipas tij, ata që braktisën sallën “nuk kanë besuar kurrë në projektin e shtetit të Kosovës”.

“Kuvendi i Kosovës në këto 49 seanca është ndarë në këto parti që kemi mbetur në sallë për të mbrojtur Kushtetutën. Në partinë që sapo dolën, parti që e keqpërdorin të drejtën për propozimin e kryeparlamentarit, që mbajnë peng shtetin…”, u shpreh Behrami.

Ai akuzoi Vetëvendosjen për shkelje të ligjit dhe të normave kushtetuese, duke theksuar se qëllimi i tyre është përmbysja e rendit kushtetues, ndërsa opozita është duke e mbrojtur atë.

“Nuk do të lejojmë që Kosova të shkatërrohet nga populistë, demagogë dhe autokratë”, shtoi ai.

Behrami kujtoi rrugëtimin historik të partive që përfaqësojnë opozitën aktuale, duke i cilësuar si gjeneratë e rezistencës paqësore, e luftës çlirimtare dhe e shtetndërtimit.

“Janë partitë që e krijuan Republikën. Ishim bashkë në vitet ’90, në frontet e UÇK-së, dhe punuam së bashku për të realizuar ëndrrën shekullore për një shtet të pavarur dhe sovran – ku Hashim Thaçi në vitin 2008 shpalli pavarësinë pikërisht në këtë foltore,” përfundoi Behrami.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume