Fëmijët po përballen me pasoja të rënda nga epidemia e vazhdueshme e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, njoftuan të dielën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët humanitarë.
Që nga fillimi i epidemisë në muajin maj, sipas të dhënave zyrtare, janë raportuar më shumë se 11.000 raste, përfshirë 5.400 viktima.
“Fëmijët përbëjnë më shumë se një të katërtën e rasteve të konfirmuara dhe një të tretën e vdekjeve. Shtatë në 10 fëmijë nën moshën pesë vjeç, me Ebola të konfirmuar, kanë humbur jetën”, thuhet në një deklaratë të OBSH-së.
Epidemia aktuale në Kongo ka prekur tetë provinca: Haut-Uele, Ituri, Kivu e Veriut, Kivu e Jugut, Bas-Uele, Tshopo, South-Ubangi dhe North Ubangi.
OBSH-ja bëri të ditur se epidemia e Ebolës vijon të përhapet, veçanërisht në zonat e prekura, si pasojë e konfliktit të vazhdueshëm, zhvendosjes së popullsisë dhe nevojave humanitare.
Zbulimi i rrallë në hapësirë: Ylli i vd*kur rrotullohet çdo 8 minuta dhe dërgon sinjale misterioze në Tokë
Organizata paralajmëroi se, megjithëse reagimi ndaj epidemisë ka ngadalësuar përhapjen e virusit në vatrat e para të shpërthimit, çdo javë vazhdojnë të raportohen 400 deri në 500 raste të reja.
OBSH-ja vuri gjithashtu në dukje se numri i lartë i vdekjeve që ndodhin në komunitete, të cilat përbëjnë dy të tretat e vdekjeve të konfirmuara, tregon se infektimet vijojnë të identifikohen shumë vonë.
Aktualisht nuk ekziston asnjë vaksinë e miratuar kundër variantit të virusit Bundibugyo, i cili u shpall për herë të parë në Kongo në mesin e muajit maj.
Deri më tani, epidemia aktuale e Ebolës ka prekur katër vende afrikane: Kongon, Ugandën, Kenian dhe Nigerinë.
“Rastet e fundit të importuara në Kenia dhe Nigeri nënvizojnë rrezikun e vazhdueshëm të përhapjes së virusit përtej kufijve kombëtarë”, deklaroi OBSH-ja.