Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, bëri të ditur sot se Maqedonia e Veriut ka arritur të zgjidhë të gjitha rastet e njohura të personave pa shtetësi në vend.

Ky njoftim u bë gjatë një ngjarjeje zyrtare të zhvilluar në Shkup, ku morën pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, përfaqësuesi i UNHCR-së në vend, Gabriel Gualano de Godoy, si dhe zëvendës shefja e misionit të OSBE-së, Susan Penksa.

Fetai e cilësoi këtë si “një sukses të jashtëzakonshëm” që vjen pas shumë vitesh përpjekjesh institucionale dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile.

Sipas tij, ky është një hap i rëndësishëm drejt garantimit të të drejtave themelore për çdo qytetar, duke i dhënë fund një padrejtësie që ka prekur mijëra njerëz ndër vite.

Në fund të fjalës së tij, zëvendëskryeministri Fetai shprehu falënderim për të gjithë kontribuuesit në këtë proces, përfshirë institucionet vendore, partnerët ndërkombëtarë, mediat, organizatat joqeveritare dhe qytetarët që kanë mbështetur këtë kauzë.