Kina mbështet në mënyrë të vendosur krijimin e një zone pa armë bërthamore në Azinë Juglindore, vuri në dukje të hënën Jiang Bin, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës.

Ai tha se krijimi i një zone pa armë bërthamore në Azinë Juglindore është i rëndësishëm për nxitjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon dhe në të mirë të interesave themelore të sigurisë të vendeve të ASEAN-it.

Kina e ka shprehur qartazi gatishmërinë e saj për të nënshkruar e para Protokollin e Traktatit për Zonën pa Armë Bërthamore të Azisë Juglindore, tha ai në përgjigje të komenteve të fundit të sekretarit të Mbrojtjes së Filipineve, i cili pretendoi se gatishmëria e Kinës për të nënshkruar protokollin ishte thjesht simbolike dhe se ajo së pari duhet të denuklearizohet për të treguar sinqeritet.

Jiang theksoi se Kina është i vetmi vend me armë bërthamore që ka premtuar pa kushte mospërdorimin ose moskërcënimin e përdorimit të armëve bërthamore kundër vendeve ose zonave pa armë bërthamore.

Forca bërthamore dhe politika bërthamore e Kinës kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për paqen botërore dhe kjo njihet gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, shtoi zëdhënësi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume