Taravari prezanton vizionin ekonomik të Platformës Kombëtare Shqiptare: “Ekonomia e fortë është shtyllë e zhvillimit kombëtar”

Në vazhdën e prezantimit të Platformës Kombëtare Shqiptare, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, z. Arben Taravari, ka zbuluar pikën e dytë të platformës, e cila ka në fokus politikat ekonomike si bazë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut informon Tetovasot.
“Ne besojmë fuqimisht se një ekonomi e fortë dhe e drejtë është shtylla kryesore e zhvillimit kombëtar,” ka deklaruar Taravari përcjelle TetovaSot. “Përmes mbështetjes së bizneseve të vogla dhe të mesme, investimeve nga diaspora dhe reformës në administratën publike, po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për çdo shqiptar në vend.”
Sipas platformës së prezantuar, pesë shtylla kyçe do të udhëheqin këtë vizion ekonomik:
Lehtësim fiskal për bizneset e vogla dhe të mesme: Ulje tatimesh për nxitjen e sipërmarrjes dhe krijimin e vendeve të reja të punës, për të fuqizuar ekonominë lokale.
Nxitja e investimeve nga diaspora shqiptare: Krijimi i kushteve ligjore dhe fiskale që do të mundësojnë përfshirjen aktive të diasporës në zhvillimin vendor.
Zhvillimi rural dhe agroturizmi: Mbështetje për bujqësinë dhe promovim i zonave rurale si destinacione ekonomike dhe turistike përmes agroturizmit.
Menaxhim i drejtë i pasurive natyrore: Privatizim i kontrolluar dhe me përgjegjësi për të siguruar përfitime për shtetin dhe qytetarët.
Reforma në administratën publike: Digjitalizim, reduktim të burokracisë dhe rritje të transparencës për një administratë efikase dhe llogaridhënëse.
“Ky është një orientim politik që bashkon vizionin kombëtar me qasjen konservatore dhe praktike për zhvillim të qëndrueshëm,” theksoi Taravari informon TetovaSot, duke shtuar se “masat konkrete dhe afatet do të përfshihen në programin politik të partisë që do të publikohet së shpejti.”
Aleanca për Shqiptarët i shpreh mirënjohje qytetarëve për mbështetjen dhe i fton të gjithë të bashkohen në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.TS