Janë evakuuar pacientët dhe personeli në Spitalin Psikiatrik në Bardovc pas një zjarri. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, zjarri ka shpërthyer në lagjen Gege dhe është përhapur drejt lagjes Bardovc, duke përfshirë një pjesë të oborrit të spitalit, i cili ishte i mbuluar me bar të thatë dhe pemë.

“Zjarri paraqiste rrezik për përhapje në të gjithë kompleksin e spitalit. Menjëherë u bë evakuimi i pacientëve dhe stafit, të cilët u nxorën në mënyrë të sigurt jashtë rrethinës së spitalit”, thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).

Nga QMK është kërkuar ndihmë shtesë nga Brigada e Zjarrfikësve dhe njësi helikopterike e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Fillimisht u shqyrtua mundësia për të devijuar përkrahjen ajrore, e cila po vepronte në Komunën Çuçer-Sandev afër Bllacës, për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit në Bardovc. Por, për momentin, zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk ka nevojë për përkrahje ajrore shtesë. Helikopteri i MPB-së vazhdon të jetë i angazhuar në Bllacë”, thuhet nga QMK.