Aliu: Është rinovuar Klinika e Urologjisë, janë implementuar dy metoda të reja kirurgjikale, në fazë rinovimi është edhe Qendra për Transplantim

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me Kryeministrin Hristijan Mickoski, sot vizituan Klinikën e Urologjisë me rastin e përfundimit të rinovimit të këtij institucioni.
– Vazhdojmë edhe me një klinikë tjetër, sot jemi këtu në Klinikën e Urologjisë. Nga aspekti infrastrukturor, duket në përputhje me të gjitha standardet evropiane. Gjithashtu nga pikëpamja teknike, infrastruktura, teknologjitë dhe metodat janë në harmoni me nevojat e pacientëve dhe protokollet evropiane. Hap pas hapi, shëndetësia po afrohet gjithnjë e më shumë me çdo qytetar. Hap pas hapi, shëndetësia po bëhet evropiane dhe shpresoj që për një kohë të shkurtër do të prezantojmë edhe klinika të tjera, edhe infrastrukturë tjetër. Këtu, përveç infrastrukturës, janë punësuar tashmë 20 profesionistë të rinj që do të jenë pjesë e klinikës, theksoi ministri Aliu gjatë vizitës.
Drejtori i Klinikës së Urologjisë, dr. Bashkim Shabani, theksoi se bëhet fjalë për një investim me vlerë rreth 300 mijë euro të destinuara për rinovimin e klinikës.
– Kemi implementuar edhe dy metoda të reja kirurgjikale, me çka praktikisht nuk do të kemi më nevojë të dërgojmë pacientët për trajtim jashtë vendit.
Tani jemi në fazë rinovimi të Qendrës për Transplantim, si dhe të Qendrës për Kalkulozë për trajtimin e gurëve në traktin urinar, përfundoi dr. Shabani.