Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka bërë publike mbështetjen për kandidaturën e Skender Rexhepit – Zejd për Kryetar të Qytetit të Shkupit, si përfaqësues i koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim.


Postimi i plotë i Ali Ahmetit:

Pas konsultave me liderët e partive politike që përbëjnë Besëlidhjen Aleanca Kombëtare për Integrim, me unitet të plotë dhe me vendim të përbashkët, u dakorduam që kandidati ynë për Kryetar të Qytetit të Shkupit të jetë z. Skender Rexhepi – Zejd.

Z. Rexhepi është Kryetar i partisë politike “Lëvizja Populli”, i diplomuar në Fakultetin Filozofik, me një përvojë të gjatë dhe të dëshmuar në sektorin civil dhe shoqërinë civile. Ai aktualisht ushtron funksionin e deputetit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku ka qenë zëri i paepur i qytetarëve, mbrojtës i të drejtave të tyre dhe avokat i reformave të thella politike dhe shoqërore.

Kandidatura e tij përfaqëson jo vetëm unitetin e forcave progresive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe një alternativë të qartë për Shkupin, një qytet që meriton zhvillim të barabartë, qeverisje transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim është e bindur se me z. Skender Rexhepi – Zejd, Shkupi do të ketë një kryetar që njeh realitetin, dëgjon qytetarin dhe punon për të gjithë, pa dallim.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume