Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, e vazhdoi iniciativën “Kabineti mobil” me vizitën e sotme në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit, ku informoi se në mënyrë të vazhdueshme po investohet në kuadër dhe projekte infrastrukturore.
– Ne, si Ministri, po punojmë me përkushtim që të arrihen standardet infrastrukturore të institucioneve shëndetësore dhe ato të jenë në përputhje me standardet evropiane. Gjendja në terren tregon se ka mungesë të pajisjeve mjekësore, infrastrukturë të dobët dhe personel. Kjo është pasojë e politikave të këqija që janë ndjekur në këtë sektor. Shëndetësia është një sistem që duhet të parashikojë, jo vetëm të krijojë politika. Parashikimet duhet të jenë për një periudhë mbi dhjetë vjet. Gjithashtu janë të domosdoshme planifikimet në kohë për kuadrin, duke pasur parasysh që për trajnimin e një mjeku subspecialist nevojiten minimumi 15 vjet, – tha në një deklaratë për media ministri Aliu.
Spitali është përforcuar me 12 specializantë privatë dhe dy specialistë gjinekologjie, ndërsa këtë vit në specializim janë dërguar edhe tetë mjekë të tjerë.
Gjithashtu, pritet punësimi i 37 personave në të gjitha fushat, që do të realizohen pas zgjedhjeve lokale. Në rast se gjatë periudhës parazgjedhore, kur nuk lejohet punësimi në sektorin publik, paraqitet nevoja, theksoi ministri Aliu, Ministria do të bëjë përpjekje dhe do të gjejë mënyra që asnjë institucion të mos mbetet pa mjek apo infermier.
Në kuadër të vizitës në Gostivar, ministri zhvilloi takime me disa qytetarë të cilët ishin paraqitur përmes platformës “Kabineti i hapur”, e cila është e qasshme në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Qytetarët, në këto takime, ndanë përvojat e tyre me shërbimet shëndetësore në nivelin parësor dhe dytësor të kujdesit shëndetësor, si dhe propozime konstruktive për përmirësimin e aspekteve organizative të sistemit.