Në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip sot do të mbahet ceremonia qendrore me rastin e 33 vjetorit të formimit të Armatës së Maqedonisë. Më shumë se tre dekada të mbushura me përkushtim, sakrificë, dije, guxim dhe vendosmëri në shërbim të Atdheut do të përkujtohen me një program të përshtatshëm dhe me praninë e përfaqësuesve të lartë shtetërorë dhe ushtarakë.

Sipas protokollit të ceremonisë, me fjalim të rastit, të pranishmëve do t’u drejtohen presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski dhe shefi i Shtatmadhorisë, gjeneralmajor Sashko Lafçiski.

Në ceremoninë qendrore do të rreshtohen edhe 26 nëntogerët e dytë dhe 149 nënoficerë.

Gjatë ceremonisë qendrore, presidentja Siljanovska-Davkova, siç kumtoi Shtatmadhoria e Armatës, do të dekorojë me “Dekoratë për merita ushtarake” Qendrën për trajnim të kadetëve dhe oficerëve, e cila është pjesë e Komandës për trajnim dhe doktrina.

Në ceremoni pritet të marrin pjesë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ministra të Qeverisë, deputetë të Kuvendit, ish ministra të mbrojtjes dhe shefa të shtatmadhorisë, gjeneralë në pension, mysafirë të lartë nga më shumë institucione të Republikës, kori ushtarako-diplomatik në Republikën e Maqedonisë së Veriut e tjerë.