Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën më të thellë për praktikat diskriminuese dhe selektive në punësimet e fundit në Agjencinë për Navigacionin Ajror (M-NAV), ku nga gjithsej 16 vende pune të shpallura në dy konkurset e fundit, vetëm 2 janë zënë nga shqiptarë, një prej tyre djali i deputetes së VLEN-it, Merita Kollçi – Koxhaxhiku.

Këto të dhëna tronditëse dëshmojnë edhe njëherë realitetin e hidhur të diskriminimit të vazhdueshëm institucional ndaj shqiptarëve, i cili po vazhdon me të njëjtin intensitet pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re. Për më tepër, raportimet e Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimit për ndërhyrje politike dhe bllokimin e mbikëqyrjes sindikale gjatë intervistave, konfirmojnë se proceset e punësimit jo vetëm që nuk janë meritore, por shërbejnë si mjet për shpërblime partiake dhe nepotizëm. I ngjajshëm është rasti me punësimin e nipit të Zeqirija Ibrahimit në ushtri, ku në atë konkurs ishte shqiptari i vetëm i pranuar nga gjithsej 74 punësime.

Është e papranueshme që në një institucion shtetëror të financuar nga taksat e qytetarëve, shqiptarët të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Ky rast nuk është i izoluar, por pjesë e një zinxhiri vendimesh diskriminuese që po ndodhin në administratën publike dhe shtetërore, duke i mohuar shqiptarëve përfaqësimin e barabartë që u garantohet me Kushtetutë dhe me Marrëveshjen e Ohrit.

BDI i bën thirrje Qeverisë dhe drejtuesve të M-NAV që të anulojnë menjëherë procedurat e kontestuara dhe të sigurojnë transparencë e përfaqësim të drejtë në çdo proces punësimi. Mosreagimi ndaj këtyre padrejtësive do të jetë një akt i hapur bashkëpunimi me diskriminimin.

Ne mbetemi të vendosur të mbrojmë të drejtën e çdo qytetari për qasje të barabartë në institucionet e shtetit dhe nuk do të lejojmë që pushteti i ri ta kthejë vendin mbrapa, në kohën kur shqiptarët trajtoheshin si të padukshëm në institucione.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume