Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot e prezantoi programin e tij të dedikuar për pensionistët, me të cilin paralajmërohen masa konkrete për përmirësimin e jetës së bashkëqytetarëve më të moshuar.

“Në Çair jetojnë mbi 7.400 pensionistë, zëri juaj, përvoja dhe urtësia juaj janë shtylla e komunitetit tonë. Prandaj, gjatë mandatit tim ju do të jeni të parët,” theksoi kandidati.

Programi “Me zemër për të moshuarit” parasheh:
– ndihmë financiare të njëhershme për pensionistët me të ardhura më të ulëta;
– “Kartela Vitet e Arta” me zbritje për ilaçet dhe produktet bazë të përditshme;
– ⁠ekipe mobile për kujdes shëndetësor dhe social në shtëpi;
– ⁠spitalin e parë mobil në Çair me kontrolle falas në lagje;
– ⁠subvencione për qëndrimin në shtëpitë e të moshuarve;
– ⁠shëtitje, ekskursione dhe vizita kulturore njëditore;
– ⁠renovim dhe buxhet për aktivitetet e klubeve të pensionistëve;
– ⁠projektin “Kurrë nuk është vonë për dije të reja” me kurse falas për aftësi digjitale.

“Dua pleqëri dinjitoze për të gjithë. Këto janë masa reale, me buxhet dhe partnerë konkretë. Respekti nënkupton kujdes të përditshëm dhe të sinqertë dhe këtë ju do ta ndjeni çdo ditë në Çair,” tha kandidati.