Kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Frontit Kombëtar për Integrim për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, ka vizituar Parkun e Çairit, ku ka shprehur shqetësimin për gjendjen e tij aktuale.

Në një video të publikuar nga vetë Osmani, ai shfaqet duke ecur në park me djalin e tij të vogël, ndërsa tregon hapësirat e dëmtuara dhe të pasigurta për fëmijët.

“Dikur vend ku fëmijët çësnin, sot gjithçka e shkatërruar dhe e rënuar. Si do e kultivojmë ndjenjën e dashurisë ndaj komunës te fëmijët, nëse ata nuk mund të shijojnë asgjë prej saj?”, shprehet Osmani.

Ai ka theksuar se rikthimi i gjallërisë dhe sigurisë në hapësirat publike për fëmijët do të jetë një nga prioritetet e tij nëse merr drejtimin e komunës.