Kërkesa për pasuri të paluajtshme në zonat bregdetare nga Golemi në Qerret, Vlorë, Rradhimë, Orikum dhe Sarandë vazhdon të dominohet nga shtetas të huaj, kryesisht nga vendet pa dalje në det në Europë si Çekia, Polonia dhe Hungaria.
Drejtuesi i agjencisë imobiliare “Century 21” Jonian Antoni më herët pohoi se në tërësi te zonat bregdetare 90% e shitjeve bëhet te blerës të huaj. Kërkesa dominohet për prona të tipologjive 1+1 dhe 2+1 me vlerë shitje nga 80 mijë euro deri në 300 mijë euro.
Rreth 70% e blerësve të huaj, pronat e blera në bregdet sipas zotit Antoni i përdorin për disa javë pushime në vit, dhe pjesa e mbetur e vitit shfrytëzohet për investim nëpërmjet qirasë ditore.
Kjo kërkesë ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve gjatë vitit 2025. Në përgjithësi, pasuritë në bregdet janë shtrenjtuar ndjeshëm në vitin 2025, me rritje që variojnë nga 20 deri në 67%, duke reflektuar një treg aktiv të orientuar kryesisht nga blerës të huaj.
Vlorë
Nga rritja e kërkesës së të huajve, sivjet shtrenjtimet më të larta në çmime u regjistruan në zona, si: Lungomare, Rradhimë dhe Orikum, në Vlorë.
Në vijën e dytë të ndërtimit në Lungomare, çmimet e shitjes janë rritur me 33 deri në 67% krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave të agjencive të shitblerjes së pasurive të paluajtshme nga 1,500 euro për metër katror që u shitën vjet pronat në Lungomare, për 2025 çmimi varioi nga 2,000 deri në 2,500 euro për metër katror.
Në vijën e parë të ndërtimit, çmimet arritën 2,500 deri në 3,500 euro për metër katror, për shkak të mungesës së ofertës dhe kërkesës së lartë.
Zonës së Rradhimës prej 2023 vijojnë t’i shtohen projektet rezidenciale. Çmimet e shitjes variojnë nga 2,000 deri në 3,000 euro për metër katror, krahasuar me 1,500–2,000 euro që ishin në 2024, që përfaqëson një rritje prej 20 deri në 33%.
Në Orikum, çmimet e apartamenteve të kategorisë së ulët janë rritur nga 800 në 1,300 euro për metër katror (rritje prej 63%), ndërsa çmimet maksimale kanë mbetur në nivelin e 1,500 euro për metër katror.
Kjo zonë po preferohet për blerje pronash edhe nga emigrantët, kryesisht atyre që jetojnë në Itali, që e shfrytëzojnë apartamentin për pushimet verore.
Aurela Xhaferaj, agjente real estate pranë agjencisë “Century 21 Aulona” tha më herët se 90% e kërkesës për prona në këto zona vjen nga shtetas të huaj, kryesisht italianë dhe emigrantë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Znj. Xhaferaj theksoi se së shumti blerjet bëhen për qëllime investimi, si për dhënie me qira në platforma si Airbnb apo Booking.com, ashtu edhe për rishitje në të ardhmen.
“Rritja e çmimeve është ndikuar drejtpërdrejt nga kërkesa e lartë për prona, veçanërisht nga të huajt kryesisht shtetas italianë dhe emigrantët” thotë Xhaferaj
Teksa blerësit vendas mbeten të fokusuar për prona me çmime të ulëta nga 800 deri 1,000 euro për metër katror, në zonën urbane të Vlorës.
Sarandë
Prej disa vitesh Saranda po përjeton shtrenjtim çmimesh të pronave nga shtimi i kërkesës së të huajve. Edhe në këtë qytet 90% e blerjeve kryesohen nga të huajt.
Në Sarandë këtë verë çmimet e shitjes për apartamente në ndërtimet e reja me afërsi deri 1,000 metra nga deti u ofruan me çmime 2000 deri 2,500 euro për metër katror.
Në vijën e parë çmimet kanë arritur 3,000 deri 3,500 euro për metra katror. Në resorte apartamentet po shiten me çmime 4,000 euro për metër katror.
Për agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme tendenca në rritje e kërkesës për prona nga turistët e huaj ka ndikuar në pakësimin e ofertës dhe rritjen e çmimeve.
Por shtrenjtimet e çmimeve kanë bërë, sipas agjencive vendase imobiliare, që kërkesa për prona nga të huajt të hyjë në vitin e dytë të rënies.
Eron Çumani drejtues i “Saranda Property” një prej agjencive imobiliare më të vjetra në qytet më herët për Monitor tha se në 2025 kërkesa ka rënë 30% krahasuar me 2024.
Ndërsa vjet kërkesa u tkurr 50% krahasuar me 2023.
Edhe Ilir Konomi drejtues i “Albanian Property Group” agjenci imobiliare në Sarandë tha se finalizimi për transaksione shitjeje është më i ulët se vjet, nga çmimet e larta.
Sipas zotit Konomi prej të huajve synohet të blihen prona me çmime shitjeje nën 2,000 euro.
Por Jonian Antoni nga “Century 21” tha më herët se në tërësi kërkesa për prona në bregdetin shqiptar mbetet e lartë e nxitur nga çmimet konkurruese krahasuar me rajonin.
Golem
Edhe në Golem kërkesa për vijon të kryesohet prej shtetasve të huaj. Arjan Gjuzi agjent imobiliar nga “Century 21 EON” së më tepër në Golem preferojnë të blejnë apartamente shtetasit çekë, polakë dhe hungarezë.
Sipas tij, të huajt më tepër i bëjnë blerjet për qëllime investimi, për t’i dhënë me qira ditore.
Për shkak të kërkesës në rritje dhe pakësimit të ofertës çmimet e shitjes së apartamenteve në vijën e parë në Golem arritën 2,000 euro për metër katror. Rritja ishte 33% krahasuar me 2024.
Pranë zonës së “Shkëmbit të Kavajës” çmimet e pronave u rritën 11% krahasuar me vjet. Çmimi i shitjes arriti 2,000 euro për metër katror nga 1,700 euro për metër katror që ishte nivel maksimal për 2024.
Edhe çmimet e pronave brenda qytetit të Durrësit mbeten të larta, në nivelet 2,000 deri në 2,500 euro për metër katror. Sipas agjentit imobiliar Arian Gjuzi, këto çmime të larta ndikohen nga oferta e kufizuar dhe kërkesa e qëndrueshme.
Për shkak të çmimeve të larta për gati 1 dekadë kërkesa nga vendasit në Golem qëndroi me tkurrje. Vetëm sivjet për shkak të ofrimit të shitjeve me këste, vendasit u janë rikthyer blerjeve.
Çmimet në Qerret në rritje deri 40%, dominon kërkesa nga të huajt
Edhe për zonën e Qerretit shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve vijoi edhe për 2025. Sipas të dhënave të agjencive imobiliare, në vijën e parë të ndërtimit çmimet arritën deri në 2,000 euro për metër katror, apo 33% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Në vijën e dytë çmimet shkojnë deri në 1,700 euro për metër katror, që përfaqëson një rritje prej rreth 40% krahasuar me 2024-n.
Në ndërtimet e reja në Qerret, pranë fshatrave turistike, çmimet e shitjes variojnë nga 1,000 deri në 1,400 euro për metër katror.
Sipas ekspertëve të tregut të pasurive të paluajtshme, rritja e çmimeve është ndikuar nga kërkesa në rritje, kryesisht nga shtetas të huaj.
Nga ana tjetër, oferta në treg është përmirësuar në aspektin e zhvillimit urbanistik, me ndërtimin e rezidencave banimi me 5 deri në 7 kate, të pajisura me ambiente pishine dhe gjelbërim.
Arian Gjuzi nga agjencia “Century 21 EON” pohon se rreth 90% e ndërtimeve në këtë zonë po blihen nga të huaj, kryesisht për shtëpi pushimi dhe qëllime investimi, ndërsa kërkesa nga vendasit mbetet e ulët.
Për shkak të kërkesës së lartë në këtë zonë, pritet që në vitet e ardhshme çmimet të rriten edhe me 20 deri në 30%./Monitor