Urim Saliu
Shumë prej figurave politike nuk hynë në skenë si protagonistë, por si dytësorë, të heshtur dhe pa peshë. Por, me kalimin e kohës, ata arritën të përdorin mjeshtërisht hipnotizimin e masës, duke e bindur atë se nuk janë njerëz të zakonshëm, por të dërguar për “misione të mëdha” dhe se pa praninë e tyre nuk është e mundur asnjë ndryshim shoqëror.
Kështu fillon ndërtimi i mitit politik. Militantët, të verbuar nga entuziazmi dhe propaganda, e ngrejnë figurën e tyre në piedestal, duke i krijuar një kult të veçantë. Imitohen gjestet, mimikat, madje edhe veshja e tij. Çdo fjalë e hedhur në rrjetet sociale shpërndahet me “like” të detyruara, ndërsa kritikat përkthehen menjëherë në linçim publik. Sipas tyre, askush nuk ka të drejtë përveç kultit të liderit.
Ky adhurim nuk ndalet as kur ai mashtron, gënjen haptazi, nuk i mban premtimet, apo edhe kur humbjet i paraqet si fitore. Për militantët, gjithçka është e pranueshme për sa kohë që vjen nga idhulli i tyre.
Nga një figurë pa peshë, ai shndërrohet në qendër të pushtetit, i pranishëm në çdo post, në çdo ndarje të “kulacit” politik, në çdo strategji e në çdo mendje të militantëve. Fytrën e tij e ke gjithandej: në institucion, në shtab, në rrjetet sociale – një idhull i ngritur mbi iluzionin dhe besnikërinë e verbër.