Limani: Ndarja e Çmimit për pjesëmarrje rinore le të jetë simbol për respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata të rinj që nuk janë vëzhgues pasivë, por qytetarë aktivë

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, dhe Sekretari Shtetëror, Fatmir Sabriu, shënuan 12 Gushtin- “Ditën Ndërkombëtare të Rinisë” – me shpërndarje të pllakave ceremoniale për pjesëmarrjen e të rinjve. Eventi u organizua në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Rinor të Maqedonisë dhe me mbështetjen e OSBE-së.
Ministri Limani, duke uruar për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, e theksoi rëndësinë e të rinjve në shoqëri, si nxitës të ndryshimit.
“Sot qëndrojmë këtu jo vetëm për të shënuar këtë ditë të rëndësishme, por edhe për të festuar zërin, potencialin dhe vizionin që të rinjtë e sjellin për të ardhmen e vendit tonë. Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja – ata janë e tashmja jonë, bartësit e ndryshimit, frymëzimi për inovacion dhe zëri që na rikujton se sa e rëndësishme është të krijohet një shoqëri e drejtë dhe gjithëpërfshirëse” – tha Limani.
Ai iu referua përpjekjeve dhe realizimit të projekteve, masave dhe aktiviteteve konkrete të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Në këtë drejtim, për herë të parë në vend, po mbahet edhe Shkolla Verore Kombëtare Rinore për Përfshirje Sociale, e organizuar nga Ministria, në bashkëpunim me Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar – GIZ. Mes tjerash, duke theksuar se Shkolla nuk është vetëm projekt – por mundësi për mësim, për rrjetëzim, ndërtim të shkathtësive të lidershipit por edhe për edhe zhvillim të ndjeshmërisë dhe të përgjegjësisë ndaj të tjerëve.
Tutje, thirrja për Çmimin e pjesëmarrjes rinore është dëshmi e njohjes dhe e vlerësimit të angazhimit të të rinjve në komunitetet e tyre. Fillimi i procesit për përzgjedhjen e përfaqësuesit të ri të të rinjve në zyrën e menaxhimit të RIKO-s, duke hapur dyer të reja për pjesëmarrjen rajonale të të rinjve, si dhe thirrja për përzgjedhjen e delegatit të të rinjve nga Republika e Maqedonisë së Veriut në punën e Kombeve të Bashkuara – OKB.
“Ajo që dikur ishte vetëm kornizë ligjore – Ligji i Pjesëmarrjes Rinore dhe Politikave Rinore – tani u realizua me veprim. Në kuadër të Ministrisë, është krijuar Njësi kërkimore, me qëllim zhvillimin e politikave rinore, krijimin e mundësive më të mira – për punën, për mësimin dhe për shëndetin mendor të të rinjve, bazuar në të dhënat dhe nevojat reale” – potencoi Ministri.
Ai theksoi se po zhvillohen gjithashtu përgatitjet për marrjen dhe zbatimin e plotë të Kartës Rinore Evropiane. Kjo do t’u japë të rinjve qasje në përfitimet konkrete – si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë evropian.
“Dhe le të jetë eventi i sotëm –“ Ndarja e Çmimit për pjesëmarrje rinore” – një simbol respekti dhe mirënjohjeje për të gjithë të rinjtë që nuk janë vëzhgues pasivë, por qytetarë aktivë. Të rinj që luftojnë, organizohen, propozojnë, iniciojnë. Të rinj që nuk presin ndryshimin – por vetë e krijojnë” – tha Limani.
Ai i uroi të gjithë fituesit e çmimeve me urime të sinqerta!
“Zëri i të rinjve le të jehojë gjithnjë e më fort – sot, nesër dhe çdo ditë tjetër” – theksoi Limani.
“Të rinjtë nuk janë vetëm në fokusin e punës së Misionit të OSBE-së në Shkup – ata janë partnerë kyç: liderë, inovatorë dhe nxitës të ndryshimeve. Çdo ditë e shohim këtë në aktivizmin, krijimtarinë dhe përkushtimin tuaj për shoqëri më të drejtë, më të sigurtë dhe inkluzive. Përmes strategjisë tonë trevjeçare do të vazhdojmë të mbështesim pjesëmarrjen e të rinjëve,” deklaroi Enrika Vida, shefe e Zyrës për Çështje Politike dhe Komunikim, dhe njoftoi një kategori të re – Çmimi për të Rinj dhe Sigurinë, i cili do të ndahet vitin e ardhshëm.
“Këshilli Kombëtar Rinor i Maqedonisë, për më shumë se një dekadë, është zëri i të rinjve në institucione dhe në publik – një platformë që bashkon format e organizimit rinor me një qëllim të përbashkët: të përfaqësojmë interesat dhe nevojat e të rinjve, të jemi një urë që i lidh ata me të gjithë aktorët relevantë dhe të sigurojmë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe aktive në proceset e marrjes së vendimeve në nivel lokal, kombëtar dhe evropian. Le të vazhdojmë së bashku – institucione, organizata, individë – në ndërtimin e një shoqërie ku të rinjtë jo vetëm që kanë zë, por edhe fuqi reale për ta formësuar të tashmen dhe të ardhmen e tyre,” – theksoi Ivona Kuzmanoska, ushtruese detyre e Kryetares së Këshillit Kombëtar Rinor të Maqedonisë.
Çmimi për pjesëmarrje rinore ndahet në tre kategori: kategoria individuale (të rinj të moshës 15 deri në 29 vjeç, të cilët kanë zbatuar iniciativë me vlerë shoqërore), kategoria e grupeve joformale të të rinjve (të paktën 3 anëtarë), të cilët bashkërisht kanë realizuar projekte bashkëpunuese dhe kategoria e organizatave rinore, organizatave të të rinjve dhe organizatave rinore ombrellë.
Fituese e çmimit në kategorinë individuale është Kalina Çakareska. Në kategorinë e grupeve joformale të të rinjve, fituese është Support Koçani, dhe në kategorinë e tretë të organizatave rinore, organizatave të të rinjve dhe organizatave rinore ombrellë, fituese është Lidhja e Skautëve të Maqedonisë.
Çdo vit, 12 Gushti – “Dita Ndërkombëtare e Rinisë” – shënohet me promovimin dhe vlerësimin e sukseseve të të rinjve. Këtë vit, fituesve të çmimeve për pjesëmarrje rinore iu ndanë pllaka ceremoniale, ndërkaq pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes, do të vijojë edhe realizimi i çmimit. Votimi publik onlajn për fituesit e Çmimit për pjesëmarrje rinore filloi më 10 korrik 2025 dhe përfundoi më 31 korrik 2025. Pas mbylljes zyrtare të votimit onlajn, u bë verifikimi dhe analiza e detajuar e votave të dorëzuara përmes platformës SurveyLegend. Analiza e përfshinte verifikimin e parametrave teknikë (adresa IP, sistemi operativ, shfletuesi, rregullimi dhe ID-ja unike External) me qëllim përcaktimin e vlefshmërisë dhe të veçantisë së votave. Kjo procedurë verifikimi është praktikë e vendosur edhe në vitet e mëparshme, me qëllim sigurimin e përzgjedhjes së drejtë dhe transparente të fituesve.