MPB del me njoftim: Do të ndërmerren masa për gjuhën e urrejtjes në ndeshjen e 5 gushtit – nuk do të tolerohen fyerje në tribuna

Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht u bën apel të gjithë qytetarëve dhe anëtarëve të grupeve të tifozëve që t’i përkrahin klubet e tyre sportive, por të bëjnë këtë në mënyrë sportive, ekskluzivisht në frymë sportive, pa gjuhë të urrejtjes dhe pa fyerje të çfarëdo lloji – qofshin ato personale, etnike, fetare apo përkatësi tjetër që nuk përkojnë me natyrën e garave sportive dhe janë në kundërshtim me ligjin.
Në këtë kontekst, MPB edhe një herë thekson se për të garantuar zhvillimin paqësor dhe të papenguar të ndeshjeve sportive, ashtu si në të kaluarën, edhe tani e në të ardhmen, policia do të jetë jashtëzakonisht rigoroze ndaj çdo shkeljeje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe ndaj çfarëdo thirrjes apo forme tjetër të përhapjes së gjuhës së urrejtjes.
Për rikujtim, në lidhje me ndeshjen e basketbollit të mbajtur më 02.08.2025 në Sallën Sportive në Kumanovë, në SPB Kumanovë tashmë janë thirrur disa persona të dyshuar me të cilët është zhvilluar bisedë zyrtare, dhe pas analizave të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike Kumanovë, do të merren masa konkrete ligjore – një person është ndaluar dhe ndaj tij do të pasojë kallëzim përkatës.
Sa i përket ndeshjes së futbollit që u mbajt në arenën “Todor Proeski” në Shkup më 05.08.2025, SPB Shkup, bazuar në materialet e incizuara dhe të dokumentuara, po ndërmerr masa në koordinim me prokurorin publik kompetent.
Është dorëzuar një njoftim me shkrim në Prokurori bazuar në materialin tashmë të konfirmuar, pas së cilës MPB do të veprojë sipas kompetencave të saj në koordinim me PTHP-në, dhe për çdo shkelje të konfirmuar ligjore do të ndërmerren masa përkatëse, për çka publiku do të informohet me kohë.