Në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti do t’u drejtohet shqiptarëve

Sot, në kuadër të shënimit të 24-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, në Shkup do të mbahet një Akademi Solemne e organizuar nga Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim, përcjell PressOnline.al.
Ngjarja do të zhvillohet në ambientet e hotelit “Aleksandar Palace” në Shkup, me fillim nga ora 18:00. Pjesëmarrës në këtë akademi do të jenë përfaqësues të jetës politike, shoqërore dhe kulturore të vendit, si dhe të ftuar nga rajoni.
Në këtë aktivitet, pritet që lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, të mbajë një fjalim drejtuar shqiptarëve, duke reflektuar mbi rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit dhe ndikimin e saj në avancimin e të drejtave dhe barazisë së komunitetit shqiptar në vend.
Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar më 13 gusht 2001, i dha fund konfliktit të armatosur dhe vendosi bazat për përfaqësim të drejtë të të gjitha komuniteteve në institucionet shtetërore.
Organizatorët kanë theksuar se kjo akademi do të jetë një moment për të kujtuar sakrificat, për të vlerësuar arritjet dhe për të riafirmuar angazhimin për barazi dhe bashkëjetesë.