Rezultatet e regjistrimit të vitit 2021 tregojnë se femrat përbëjnë 50.4% të popullsisë, ndërsa meshkujt 49.6%. Çfarë do të thotë kjo për demografinë e vendit?

Për herë të parë që nga regjistrimi i vitit 1948, në Maqedoni numri i grave ka tejkaluar numrin e burrave. Sipas të dhënave të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2021, vendi ka gjithsej 1,836,713 banorë, prej të cilëve 50.4% janë gra, ndërsa 49.6% burra, informon PressOnline.al

Në disa rajone raporti është pothuajse i barabartë, por në rajonin e Shkupit epërsia është dukshëm në favor të grave. Sipas ekspertëve, kjo strukturë gjinore është e shëndetshme për shoqërinë dhe ekonominë, pasi garanton ekuilibër në fuqinë punëtore dhe përmbush nevojat e sektorëve të ndryshëm.

“Raporti pothuajse 50-50 është i favorshëm për funksionimin e shtetit. Ai plotëson kërkesat për përfaqësim gjinor, jo vetëm në administratë, por edhe në sektorë të tjerë. Në disa vende të botës, devijimet arrijnë deri në 20% në favor të një gjinie, çka krijon probleme serioze” – thekson ne një prononcim për portalin “Faktor”, demografi Donço Gerasimovski, përcjell PressOnline.al

Nga regjistrimi i vitit 2021, për çdo 100 gra ka 98.4 burra, që do të thotë se gratë janë rreth 1.6% më shumë.

Struktura sipas moshës tregon se:

• Në grupmoshën 0-14 vjeç, meshkujt janë 6.7% më shumë.
• Në grupmoshën 15-64 vjeç, diferenca është minimale (0.7% më shumë meshkuj).
• Në moshën 65+, gratë janë 16.8% më shumë se burrat.

Fenomeni nuk është unik për Maqedoninë. Shtete si Lituania, Rusia, Bjellorusia apo rajone si Hong Kongu kanë ndarje të ngjashme, shpesh për shkak të emigrimit të burrave, vdekshmërisë më të lartë te meshkujt, apo konflikteve historike. Ndërkohë, vende si Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kanë më shumë meshkuj, kryesisht për shkak të migrimit masiv të punëtorëve meshkuj në sektorët e ndërtimit dhe shërbimeve.