Nga Qeveria njoftojnë se nga sot hyn në fuqi vendimi me të cilin tregtarët duhet të ulin çmimet e pajisjeve shkollore për së paku 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe për së paku 15 për qind në tregtinë me pakicë. Me pajisje shkollore nënkuptohen çanta shkolle, fletore, lapsa, stilolapsa, vizore, materiale didaktike, letër dhe të tjera.
“Me këtë vendim ulen çmimet e çantave të shpinës dhe çantave të dorës, fletoreve, blloqeve, kolazheve, lapsave dhe stilolapsave (ekonomikë, plastikë), ngjyrave të drurit dhe dyllit, plastelinës, brumit për modelim, bazave, flomasterëve dhe markerëve, ngjyrave tempera, akrilike të ujit dhe furçave, vizoreve dhe materialeve didaktike, mprehëseve dhe gomave për fshirje, gërshërëve për fëmijë, kutive, ngjitësit, kompasit, kalkulatorëve, letrës dekorative, dosjeve dhe çantave të kartonit dhe materialeve për punëdore, si dhe produkteve të tjera të nevojshme për nxënësit, gjë që do të thotë çmime më të ulëta dhe qasshme për të gjithë qytetarët tanë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e qeverisë.
Vendimi vlen për periudhën nga 15 gusht-15 shtator, dhe tregtarët janë të detyruar që krahas çmimit të ri të ulur të produkteve, ta publikojnë edhe çmimin e vjetër që ka qenë në fuqi më 01 qershor, i cili merret si çmim bazë për përcaktimin e uljes.
Gjithashtu, përpara hyrjes së objektit shitës ose në ndonjë vend të dukshëm në dyqan, duhet të jetë i afishuar qartë dhe dukshëm një poster me mbishkrimin “Më pak shpenzime, më shumë për ty.”