Çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshijnë “kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, duke përfshirë dhunën dhe kërcënimet për dhunë kundër gazetarëve”, thuhet në Raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2024.
Sa i përket lirisë së medias, Raporti thekson se “Kushtetuta parashikon lirinë e shprehjes, duke përfshirë edhe për gazetarët dhe mediat e tjera, dhe se Qeveria në përgjithësi e respektoi këtë të drejtë.”
Megjithatë, sipas mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, “liria e shprehjes u minua nga paditë kundër gazetarëve, sjellja e papërshtatshme nga zyrtarët publikë në ndërveprimet e tyre me gazetarët, presioni i tepërt mbi gazetarët që hetojnë korrupsionin, dezinformimi, gjuha e urrejtjes në internet dhe mediat sociale, dhe vetëcensura.”
Raporti përmend edhe ndryshimet e miratuara në Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio-Audiovizuale për të lejuar reklamimin e fushatave me “interes të lartë publik” të paguara nga Qeveria përmes transmetuesve komercialë. “Shoqatat e pavarura të medias shprehën shqetësime në lidhje me ndryshimet dhe e kritikuan ligjin si një kthim në korrupsionin dhe klientelizmin e përhapur në media,” thuhet më tej.
Një tjetër shqetësim madhor ishte siguria e gazetarëve. “Dhuna dhe kërcënimet me dhunë kundër gazetarëve ishin një çështje e rëndësishme e të drejtave të njeriut. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) raportoi disa incidente dhune dhe ngacmimi të gazetarëve,” theksohet në dokument, duke shtuar se SHGM ka vënë re “një rritje të dhunës dhe ngacmimit të gazetareve femra.”
Sipas SHGM-së dhe organizatave të tjera mediatike, pavarësia editoriale e shtypit vazhdon të përballet me sfida. Ndërkohë, organizata “Reporterët pa Kufij” në raportin e saj të marsit vuri në dukje se “për shkak të polarizimit të fortë politik, media ka qenë nën presion nga autoritetet, politikanët dhe biznesmenët si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal.”