Zëvendësdrejtori i Pyjeve Kombëtare Kirill Mihaillov ka deklaruar se nga zjarret që kanë shpërthyer këtë vit janë prekur rreth 9000 hektarë tokë. Ai në intervistë për Radio Europa e Lirë ka thënë se krahasuar me vitin e kaluar, ky vit është shumë më i mirë për sa i përket zonave të prekura nga zjarret.

KIRILL MIHAILLOV, ZËVENDËSDREJTOR I PYJEVE KOMBËTARE

“Në korrik kemi tashmë një situatë të re në të cilën patëm mbi 550 zjarre në ajër të hapur dhe nga këto, u shkaktuan mbi 50 zjarre pyjore. Që do të thotë se nëse që nga fillimi i vitit në gjashtë muaj kemi pasur rreth 50, të njëjtin numër e kemi vetëm në korrik. Megjithatë për sa i përket strukturës financiare në këtë pikë, nuk mund të diskutoj, mund të them vetëm se diku rreth 9,000 hektarë u prekën në total”.

Duke folur për zjarrëvënien e qëllimshme, Mihaillov tha se 550 zjarre brenda një muaji është një numër i madh dhe se e gjithë kjo nuk mund të jetë rastësi. Ai thotë se nga 1 korriku deri më 24 korrik, MPB ka ngritur 19 kallëzime penale kundër të zjarrvënësve.

KIRILL MIHAILLOV, ZËVENDËSDREJTOR I PYJEVE KOMBËTARE

“Pavarësisht nëse ishte e qëllimshme apo e paqëllimshme, ata ishin pjesëmarrës në një lloj zjarri të ndezur. Mbi 27 persona janë arestuar konkretisht në lidhje me zjarret. Pra, nuk ka tregues më të madh se ky. A e dini se çfarë numri është ky? Unë bëra një analizë nga viti 2014 deri në vitin 2024 në RMV vetëm 15 kallëzime penale ishin ngritur në 10 vite në lidhje me zjarret dhe ndodhjen e tyre, ndërkaq tani vetëm brenda një muaji MPB ngriti 19 kallëzime penale”.

Mihaillov tha se gjyqësori është hallka e fundit që do të duhet të qëndrojë në mbrojtje të vendit, duke theksuar se është e kotë të kapen qindra zjarrvënës dhe hajdutë druri kur ata marrin gjoba të vogla ose dënime me kusht në procedurat gjyqësore.