Shkup, 16.08.2025 – Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit ku në rend dite ishin ndryshimet në Ligjin për Kodin Zgjedhor, të cilat kërkojnë shumicë të Badinterit, përcjell PressOnline.al

Snopçe ka deklaruar se opozita, megjithëse nuk ishte e konsultuar siç ka qenë praktikë historike për ligje që prekin Kodin Zgjedhor, i ka ofruar kompromis qeverisë.

“Ne ishim të gatshëm ta përkrahim ligjin me kusht që qeveria ta shfuqizojë vendimin për uljen e numrit të këshilltarëve në komuna, një vendim që në fakt duhej të pasohej pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se metodologjia për ndarjen e qytetarëve në rezidentë dhe jorezidentë është kundërkushtetuese,” ka shkruar Snopçe.

Sipas tij, pasi pushteti nuk tregoi gatishmëri për të pranuar këtë kompromis, opozita vendosi të mos e mbështesë ligjin.