Urim Saliu
Ajo që nisi si një shpresë për ndryshim, u zhyt shpejt në realitetin e hidhur të politikës së vjetër. Krerët e VLEN dhe disa individë pranë kupolës së pushtetit u akomoduan shpejt në privilegjet dhe “mrekullitë” e karriges, duke harruar një gjë thelbësore: nga vijnë. Harruan bazën, njerëzit që u ngritën në themelet e këtij projekti politik dhe që sot ndihen të lënë jashtë formacionit.
Për një vit të tërë, një grusht njerëzish forcuan pozitat e tyre personale, ndërsa figura me peshë elektorale, por pa asnjë përfitim, u shtynë në heshtje. Disa idealistë të sinqertë brenda VLEN e nisën këtë rrugëtim me një kauzë të madhe – jo vetëm për ta çuar BDI-në në opozitë, por edhe për të ndryshuar mentalitetin e politikëbërjes. Por shpejt zbuluan se situata ishte edhe më e keqe: kupola e VLEN po vepronte me të njëjtat mënyra dhe forma si BDI, duke u bërë një kopje e vrazhdë, çka është irrituese për bazën.
Sot, pakënaqësia në radhët e këtij koalicioni qeverisës nuk është më një fenomen i izoluar. Vullkani tek baza ka filluar të shpërthejë. Janë zhgënjyer ata që besuan në ndryshim, por panë vetëm përforcimin e pozitave të atyre që politikën e shohin si jetëgjatësi personale, jo si vlerë shoqërore.
Koha e ndryshimit të vërtetë po afron. Dhe këtë herë, qëllimi i të pakënaqurve brenda VLEN nuk do të jetë imitimi i pushtetit, por ndërtimi i një politike ndryshe – ashtu siç ishte premtuar në fillim.