Koha e “siç ka qenë deri tani” ka përfunduar.
Kjo nuk është vetëm një frazë boshe, por tashmë po dëshmohet me vepra konkrete.

Respektimi i ligjeve dhe procedurave nuk është përjashtim, por rregull i patjetërsueshëm që duhet të zbatohet nga të gjithë. Kushdo që vepron në kundërshtim me ligjin, do të përballet me përgjegjësi dhe drejtësi.

Nuk ka më individë të paprekshëm dhe të mbrojtur politikisht, të lidhur me ndonjë parti politike. Nuk ka më raste të fshehura në sirtarë apo raste të mbuluara. Tani përgjegjësia ka emër dhe mbiemër, dhe shkelja e ligjit, procedurave dhe parimeve ndëshkohet.

Një shembull konkret është ish-shefi i policisë në Demir Hisar, i cili u shkarkua menjëherë për shkak të sjelljes së papërshtatshme ndaj një personi gjatë kryerjes së detyrës së tij.

Përveç shkarkimit, Ministria e Punëve të Brendshme dënoi ashpër veprimin joprofesional dhe joetik, duke hapur procedurë disiplinore kundër tij.

Ky rast është dëshmi e qartë se nuk jemi të gjithë njësoj, se qasja jonë është e ndershme dhe pa kompromis, dhe se koha e “siç ka qenë” ka përfunduar.

Duhet të kujtojmë se një qasje e tillë ndaj përgjegjësisë dhe ndëshkimit të shkeljeve nuk ekzistonte gjatë kohës së Zaevit, Spasovskit dhe Ahmetit.

Në atë periudhë, vetëm kundërshtarët politikë procedoheshin dhe arrestoheshin, ndërsa kriminelët, huliganët dhe “sherifët lokalë” nga radhët e tyre gëzonin mbrojtje të plotë.

Shërbimet e Zaevit dhe Spasovskit shfaqnin forcë vetëm ndaj politikanëve nga tabori i kundërt me LSDM dhe BDI – duke i arrestuar herët në mëngjes para syve të fëmijëve të tyre, duke hyrë në shtëpi pa urdhër gjykate dhe duke ushtruar terror politik ndaj familjeve të të ndaluarve.

Një shembull klasik i këtij persekutimi është rasti i Gordana Jankullovskës, të cilën e ndanë nga foshnja e saj, ndërkohë që Zaev udhëtonte dhe priste delegacione në Mercedesin për të cilin ajo u dënua.

Sa herë që donte të shpërqendronte opinionin publik dhe të shmangte problemet reale, regjimi i LSDM-së arrestonte dhjetëra herë Mile Janakieskin, duke i hyrë në shtëpi herët në mëngjes para fëmijëve të tij të mitur. As Spiro Ristovski nuk u kursye, i rrahur dhe keqtrajtuar në burg nga të tjerët.

Këto ishin kohët e urrejtjes, persekutimit politik dhe abuzimit me institucionet nga ana e Zaevit, Spasovskit dhe Ahmetit, kundër çdo kujt që nuk ishte pjesë e LSDM-së ose BDI-së.

Por kjo kohë ka marrë fund, sepse tani, në përputhje me ligjin dhe procedurat, kushdo që shkel rregullat – pa marrë parasysh pozitën që mban – do të mbajë përgjegjësi thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-Së.( INA)