Çfarë saktësisht ndodhi me avionin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë uljes së saj në Bullgari? Dhe pse autoritetet bullgare e ndryshuan versionin dy herë brenda vetëm disa orësh, janë pyetje që tashmë po i parashtrojnë mediat botërore.

Në mëngjes, kryeministri Rosen Zhelyazkov deklaroi se nuk kishte asgjë serioze, por vetëm një “ndërprerje e pjesshme e sinjalit”, gjë që është e zakonshme në zonat urbane. Më vonë, gjatë ditës, ai e ndryshoi tonin duke lënë hapësirë për përfshirjen e mundshme të Moskës. Kjo hapi terren për një “konfuzion informacioni”, për pengesa të mundshme që nuk regjistrohen nga toka, por që ndoshta janë të dukshme në të dhënat e vetë avionit.

Ky qëndrim i pasigurt dhe i paqartë i institucioneve bullgare tashmë ka tërhequr reagimin e Politico, Financial Times dhe NATO-s. Është interesante fakti që vetëm disa ditë më parë media të njohura nga rajoni zbuluan se një incident i ngjashëm i kishte ndodhur edhe Bujar Osmanit, gjatë kohës që kryesonte me OSBE-në. Osmani dje, në një konferencë për shtyp, e konfirmoi dhe e shpjegoi incidentin, duke theksuar se është shumë simptomatike që mbi qiellin bullgar ndodhi sërish i njëjti incident.

Duke pasur parasysh që Bullgaria tani po i rishikon deklaratat e saj dhe po relativizon të gjithë situatën, hapet pyetja nëse autoritetet bullgare mund ta konfirmojnë ose ta hedhin poshtë incidentin me Osmanin.

Pyetja është gjithashtu nëse Osmani është i gatshëm të publikojë detajet e atij fluturimi, çfarë saktësisht ndodhi edhe pse në konferencën për shtyp ai e konfirmoi qartë se pikërisht një ndërprerje e tillë kishte ndodhur dhe se avioni qeveritar ishte detyruar të ulej me harta manuale.

Në një kohë kur BE-ja dhe NATO-ja po alarmojnë për rritjen e kërcënimeve hibride, incidente të tilla nuk duhet të mbeten në hije. Edhe nëse nuk provohet përfshirja e drejtpërdrejtë e një pale të tretë, publiku e meriton transparencën, informimin e qartë dhe seriozitetin institucional.

Çdo pasaktësi, çdo version i ndryshuar, çdo “s’ka problem” lë hapësirë për dyshim. Dhe në gjeopolitikë, dyshimi shpesh nënkupton dobësi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume