Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump u panë në një bisedë në dukje e tensionuar në bordin e helikopterit presidencial Marine One, pas kthimit nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Në pamjet e regjistruara, çifti po komunikonte me gjeste dhe shprehje të dukshme tensioni ndërsa helikopteri ulej në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë. Melania, u pa duke tundur kokën dhe duke folur me gjeste, ndërsa Donald Trump, reagoi duke e treguar me gisht.

Pavarësisht shkëmbimit të tensionuar, të dy zbritën së bashku nga helikopteri dhe ecën dorë për dore drejt rezidencës, me presidentin që u përshëndeti kalimthi gazetarëve.

Vizita në Nju Jork nuk kaloi pa probleme. Gjatë mbërritjes në selinë e OKB-së, çifti Trump u përball me një shkallë lëvizëse të ngecur, duke u detyruar të ngjiteshin manualisht. Incidenti, i interpretuar nga komentues konservatorë si “sabotim”, u sqarua më vonë nga OKB-ja si një defekt i shkaktuar aksidentalisht nga një videograf i delegacionit amerikan.

Presidenti Trump më pas u përball me një tjetër problem teknik: teleprompteri dështoi për disa sekonda përpara fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme. “Kushdo që po e operon këtë teleprompter është në telashe të mëdha”, deklaroi presidenti para liderëve botërorë.

 

Mgid