Ndërsa ajri në Shkup mbrëmë kundërmonte helm, Izet Mexhiti, i cili duket se ka harruar se është ministër i Mjedisit Jetësor, nuk tha asnjë fjalë. Nuk doli para opinionit, nuk dha rekomandime, nuk ofroi informacione, nuk bëri asnjë apel.
Në kohën kur Shkupi kundërmonte plastikë të djegur, bateri dhe mbeturina elektronike, kur qytetarët kishin frikë për shëndetin e tyre, për Izet Mexhitin ishte më e rëndësishme të transmetonte drejtpërdrejt një aktivitet partiak në Çair, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
E pyesim: pse ikët nga konferenca e jashtëzakonshme për shtyp ndërkohë që banorët e Trubarevës evakuoheshin vonë natën? A keni qoftë edhe një grimë përgjegjësie për funksionin që ju është besuar?
Por qytetarët nuk duhet të habiten nga një sjellje e tillë. Mexhiti për 20 vite në Çair ka pasur vetëm interesa personale, dhe kurrë kujdes të vërtetë për nevojat e qytetarëve.
Ashtu siç dje nuk lëvizi as gishtin për të ndihmuar dhe për të treguar se është lider dhe politikan i përgjegjshëm, po ashtu edhe gjatë dy dekadave të kaluara në Çair i ka ikur problemeve dhe ka ndjekur interesat e tij të biznesit. Me njerëzit takohej vetëm para zgjedhjeve.
Prandaj Çairi sot duket kështu, i lënë pas dore, i pasigurt dhe i harruar.
Më 19 tetor, qytetarët e Çairit do ta mposhtin Izet Mexhitin, sepse ka ardhur koha që politika e papërgjegjësisë dhe egoizmit më në fund të mbetet në të kaluarën.