Në prag të konventës së madhe promovuese që do të mbahet nesër në arenën “Boris Trajkovski”, kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, iu drejtua aktivistëve me një mesazh të fuqishëm e motivues, të mbushur me simbolikë dhe mirënjohje.

“Ndryshimi në Çair fillon nesër. Nesër çdo qytetar do të flasë me zë të lartë dhe do të thotë: mjaft është! Mjaft diskriminim, mjaft degradim, mjaft përjashtim, mjaft papastërti, mjaft pasiguri, mjaft kaos,” tha Osmani.

Ai e përshkroi konventën e nesërme jo vetëm si një miting, por si një moment historik të zgjimit dhe aktivizimit të shpresës dhe vendosmërisë për një fillim të ri:
“Nesër nuk është vetëm një miting, është fillimi i këtij ndryshimi, është ora kur do ta ndezim motorin e një epoke të re,” tha Osmani.

Në qendër të mesazhit të tij, Osmani vendosi aktivistët, të cilët sipas tij janë forca lëvizëse prapa ndryshimit në Çair:
“Ju jeni forca e këtij ndryshimi, ju jeni zemra e këtij lëvizjeje. Pa ju kjo nuk do të ishte e mundur, ndërsa me ju gjithçka është e mundur,” tha ai.

Ai i ftoi të gjithë aktivistët që të paraqiten nesër me energji të plotë, me krenari dhe dashuri për Çairin, sepse çdo duartrokitje, çdo fjalë dhe çdo hap do të jetë një sinjal që do të jehon në çdo lagje, në çdo rrugë:
“Çdo zë i juaji nesër, çdo hap, çdo duartrokitje, është një mesazh që do të arrijë në çdo lagje të Çairit dhe edhe një herë do të thotë me zë të lartë: ndryshimi fillon sot,” tha Osmani.

Në fund të fjalimit të tij, Osmani dërgoi një zotim dhe premtim të fuqishëm:
“Unë ju premtoj, ashtu siç qëndruam së bashku deri më sot, kështu do të ecim së bashku deri në fitoren më 19 tetor. Rrofshi Çairi i lirë, i pastër dhe i sigurt, rroftë aleanca jonë kombëtare, por mbi të gjitha, rroftë forca e qytetarëve që nga nesër nisin një epokë të re për Çairin,” përfundoi Osmani.

Mgid