Cikloni Gabrielle drejt Portugalisë/ Vendi në ‘alarm të kuq’, mbyllen shkollat dhe shërbimet publike

Autoritetet portugeze kanë vendosur alarmin maksimal të kuq në arkipelagun e Azoreve, teksa cikloni Gabrielle po afrohet me shpejtësi, duke sjellë me vete rrezik ekstrem nga stuhitë dhe reshjet e dendura.
Agjencia meteorologjike IPMA ka paralajmëruar për një mot të ashpër dhe kushte të rrezikshme, duke urdhëruar mbylljen e të gjitha shkollave, shërbimeve publike dhe aktiviteteve turistike për 24 orët në vijim. Qytetarëve u është bërë thirrje të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin çdo lëvizje të panevojshme.
Sekretari i Mjedisit në qeverinë rajonale të Azoreve, Alonso Miguel, deklaroi për mediat se çdo aktivitet përgjatë vijës bregdetare apo në zonat pranë lumenjve është i ndaluar.
“Kjo është një situatë me rrezik të lartë për jetën dhe pronën. Apelojmë për kujdes maksimal dhe ndjekje të udhëzimeve zyrtare,” – tha Miguel.
Azoret, një grup ishujsh në Oqeanin Atlantik, janë shpesh të ekspozuar ndaj fenomeneve të forta natyrore, por cikloni Gabrielle pritet të jetë ndër më të fuqishmit e viteve të fundit që godet rajonin.
Autoritetet po monitorojnë nga afër zhvillimin e stuhisë dhe kanë vënë në gatishmëri të gjitha shërbimet emergjente.