Danimarka nuk e ka ftuar ushtrinë amerikane të marrë pjesë në Arctic Light 2025, stërvitja më e madhe ushtarake në historinë moderne të Grenlandës.
Stërvitja vjen teksa aleatët e NATO-s po shtojnë bashkëpunimin mbrojtës në Arktik mes interesit të SHBA-së në ishull.
Komandanti i Arktikut i Danimarkës, Soren Andersen, ka konfirmuar se, ndonëse sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth ishte ftuar, asnjë njësi ushtarake amerikane nuk u ftua të merrte pjesë.
“Ne punojmë së bashku me kolegët në Bazën Hapësinore Pituffik të SHBA-së, por ata nuk u ftuan me njësi për këtë stërvitje”, ka thënë Andersen për Reuters.
SHBA-ja ka marrë pjesë më parë në stërvitje ushtarake të udhëhequra nga Danimarka në Grenlandë. Një zëdhënës në Ambasadën e SHBA-së në Kopenhagë ka thënë se “ndonëse nuk po marrim pjesë në këtë stërvitje të veçantë, ne vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fortë ushtarak me Mbretërinë e Danimarkës dhe aleatët e tjerë të Arktikut”.
Analisti i pavarur ushtarak Hans Peter Michaelsen i ka thënë Reuters se stërvitja ka “një sinjalizim të fortë politik” për të demonstruar kujdesin e Danimarkës për Grenlandën me aleatët e NATO-s.
“Stërvitja është hartuar në thelb për t’u treguar amerikanëve se Danimarka kujdeset për Grenlandën dhe e bën këtë me ndihmën e vendeve të tjera të mëdha të NATO-s”, ka thënë Michaelsen.
Andersen ka hedhur poshtë sugjerimet se stërvitja kishte për qëllim t’i dërgonte një mesazh Uashingtonit.
Danimarka ka rritur investimet në mbrojtje dhe aktivitetin ushtarak në Grenlandë, një territor gjysmë-autonom, që nga komentet e presidentit të SHBA-së Donald Trump në lidhje me blerjen e territorit të vendosur strategjikisht dhe kritikat mbi përpjekjet e Danimarkës për ta mbrojtur atë.
Lidhjet midis Kopenhagës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar këtë vit për shkak të refuzimit të Trumpit për të përjashtuar marrjen e Grenlandës me forcë. Danimarka muajin e kaluar thirri diplomatin më të lartë të SHBA-së në Kopenhagë për shkak të raporteve që pretendonin operacione të fshehta ndikimi nga qytetarët amerikanë në Grenlandë.
Në stërvitjen Arctic Light 2025, që do të zhvillohet nga 9 deri më 19 shtator, marrin pjesë më shumë se 550 ushtarë, përfshirë forca speciale, nga Danimarka, Franca, Gjermania, Suedia dhe Norvegjia.