Suedia ka përjetuar një nisje të vështirë në kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Pas një barazimi 2:2 ndaj Sllovenisë, kombëtarja suedeze pësoi një humbje surprizuese 2:0 nga Kosova të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Disfata e papritur ka shkaktuar reagime të forta në Suedi, ku disa tifozë kanë përdorur mediat sociale për të sulmuar lojtarët dhe drejtuesit e ekipit kombëtar. Komentet kanë shkuar deri në kërcënime dhe fyerje raciste, duke detyruar Federatën Suedeze të Futbollit të ndërmarrë masa.

Federata Suedeze do t’i drejtohet policisë

Më 18 shtator, Federata Suedeze ka identifikuar disa prej komentuesve të përfshirë dhe ka vendosur t’i raportojë në polici.

“Ka shumë komente që tejkalojnë vijën e lejueshme, por jo të gjitha janë automatikisht të dënueshme. Megjithatë, një numër prej tyre përbëjnë kërcënime dhe ngacmime të paligjshme,” tha Martin Fredman, menaxher i sigurisë së Federatës, për “Fotbollskanalen”.

Ai shtoi se kërcënimet e publikuara kanë ndikuar në lojtarët dhe stafin.

“Është një kërcënim i paligjshëm kur kërcënon dikë në mënyrë që ai të frikësohet apo ndihet i prekur. Kjo përfshin kërcënime për jetën e dikujt apo dëshirën për të dëmtuar dikë.”

Racizmi nuk do të tolerohet

Federata Suedeze ka raportuar gjithashtu se një nga lojtarët ka qenë viktimë e fyerjeve racore në rrjetet sociale. “Do ta shqyrtojmë këtë rast dhe do ta çojmë përpara,” tha Fredman. “Ne e marrim shumë seriozisht çdo akt racizmi dhe nxitje kundër grupeve etnike.”

Fredman ka refuzuar të identifikojë lojtarët apo stafin e përfshirë, duke shtuar:

“Është drejtuar në drejtime të ndryshme, kështu që nuk dua të jap emra. Por kemi analizuar llogaritë e federatës, si dhe ato të lojtarëve dhe trajnerëve.”

Përballjet e ardhshme

Pas këtyre incidenteve, Suedia do të kërkojë të rikthejë fokusin te futbolli. Kombëtarja suedeze do të presë Zvicrën më 10 tetor në Solna dhe Kosovën më 13 tetor në Goteborg në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.

Federata Suedeze thekson se siguria dhe mbrojtja e lojtarëve mbeten prioritet, dhe se nuk do të tolerohen kërcënimet apo fyerjet racore ndaj stafit dhe kombëtares.

Mgid