Mbrëmja e së dielës në fshatin Sellcë u shënua me një tubim madhështor në përkrahje të kandidatit për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, nga Aleanca Kombëtare për Integrim.

Tubimi, i mbajtur në zemër të fshatit, mblodhi dhjetëra qytetarë, familjarë, miq dhe përkrahës të Rexhepit, të cilët me zemër të hapur shprehën besimin dhe përkrahjen për kandidatin që, siç u theksua, vjen me vizion dhe vullnet të palëkundur për të ndryshuar Tetovën.

“Fitorja nisi nga Sellca. Këtu, mes familjes sime, miqve dhe bashkëvendësve, ndjeva energjinë e vërtetë të ndryshimit. Për Sellcën dhe për Tetovën nuk do të premtojmë, por do të punojmë me përkushtim,” tha Bajram Rexhepi në fjalimin e tij para të pranishmëve.

I shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij – Fatoni, Kreshniku, Arbëri dhe Blerimi – Rexhepi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët dhe përfshirjen aktive të komunitetit në ndërtimin e një Tetove më të mirë.

Sellca, si një nga bastionet tradicionale të angazhimit qytetar, tregoi edhe një herë se është e gatshme të mbështesë alternativa të reja dhe zëra që sjellin shpresë për të ardhmen.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume