Ushtria izraelite ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj infrastrukturës ushtarake të rebelëve Houthi në portin strategjik të Hodeidës, në Jemen. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i ushtrisë izraelite në një deklaratë të publikuar në platformën “X”.

Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite kishte dhënë një urdhër për evakuimin e menjëhershëm të zonës, duke paralajmëruar se do të godiste një zonë të caktuar në port, për shkak të veprimtarive ushtarake të rebelëve Houthi.

Sipas deklaratës së fundit, ushtria “ka vazhduar të godasë infrastrukturën ushtarake të përdorur nga regjimi terrorist i Houthive në Jemen” dhe se “pak më parë janë kryer sulme ajrore ndaj objekteve ushtarake të tyre në portin Hodeida”.

Zëdhënësi shtoi se:

“Regjimi terrorist i Houthive po përdor portin e Hodeidës për të transportuar mjete luftarake të furnizuara nga regjimi iranian, të cilat më pas përdoren për të kryer sulme terroriste kundër Izraelit dhe aleatëve të tij.”

Ai nënvizoi se këto goditje vijnë si përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme të Houthive ndaj Izraelit, përfshirë lëshimin e dronëve dhe raketave tokë-tokë.

“Regjimi Houthi, i drejtuar dhe financuar nga Irani, përdor zonën detare për të kryer sulme dhe veprime terroriste ndaj anijeve tregtare dhe mallrash në ujërat ndërkombëtare”, thuhet më tej në deklaratë.

Në fund, ushtria izraelite thekson se:

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit do të vazhdojnë të veprojnë kundër çdo sulmi të regjimit terrorist të Houthive dhe do të jenë të vendosur të mbrojnë qytetarët izraelitë, pavarësisht distancës nga burimi i kërcënimit.”

Mgid