Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se Policia e Kumanovës, me urdhër gjykate, ka kryer kontrolle në shtëpitë e dy personave – D.H. (47) dhe D.G. (51), si dhe në hapësirat e biznesit të njërit prej tyre. Aksioni është ndërmarrë për shkak të dyshimeve për incizim të paautorizuar të ndërtesës së SPB Kumanovë dhe automjeteve policore me dron, ngjarje e regjistruar në fillim të gushtit dhe e publikuar në rrjetet sociale.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e D.H. është gjetur një dron, gjashtë fishekë dhe dokumentacion noterial, ndërsa tek D.G. policia ka zbuluar 14 dronë.
Me të dy personat janë zhvilluar biseda zyrtare në stacionin policor, ndërsa materialet e sekuestruara do të përdoren për procedurë të mëtejshme. Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se, pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihen kallëzimet përkatëse.