Në qelinë e ish-drejtorit të Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev, janë gjetur tre telefona celularë, për të cilët ai para gjykatës deklaroi se nuk janë të tij.

Gjyqtarja Slavica Naumovska Josifovska, para fillimit të seancës së sotme gjyqësore për rastin Onkologjia 2, kundër Vasevit dhe Nehat Nuhit për tenderë fiktivë dhe menaxhim të papërgjegjshëm ekonomik, informoi se Gjykata ka marrë njoftim nga Burgu i Shkupit se në qelinë e Nino Vasevit janë gjetur dhe sekuestruar tre telefona celularë.

Vasev, lidhur me telefonat e gjetur, para gjykatës tha se atij nuk i është marrë asnjë telefon.

“Dua t’ju informoj se ka pasur disa kontrolle. Tek unë nuk është gjetur dhe nuk është marrë ndonjë telefon imi,” tha Vasev.

Gjykata Penale në qershor të këtij viti miratoi aktakuzën kundër ish-drejtorëve të Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev dhe Nehat Nuhi, për keqpërdorim, mashtrim dhe përvetësim në shërbim gjatë viteve 2018–2022. Sipas akuzës, ata kanë blerë barna në mënyrë të paligjshme, i kanë mbuluar përmes tenderëve fiktivë dhe kanë përvetësuar një pjesë të terapive, duke e dëmtuar buxhetin për gati 36 milionë euro. Vasev akuzohet edhe në një tjetër rast për trajtim të papërgjegjshëm të pacientëve në klinikë.

Në aktakuzë thuhet se veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” të akuzuarit, drejtorë mjekësorë dhe organizativë, e kanë kryer duke tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre dhe duke mos e përmbushur detyrën gjatë procedurave për blerjen e barnave, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen Shëndetësore, Ligjin për Sigurim Shëndetësor, Statutin e Klinikës, Ligjin për Buxhetet dhe Ligjin për Prokurime Publike. Me këto veprime ata kanë siguruar përfitim të madh pasuror për të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm Buxhetit të RMV-së në një shumë prej mbi 2,2 miliardë denarësh.

Gjithashtu, të dy akuzohen për mashtrim në shërbim, pasi kanë kryer disa veprime të lidhura ndërmjet tyre që përbëjnë realizim të shumëfishtë të së njëjtës vepër. Duke ushtruar detyrën me qëllim të përfitojnë paligjshëm për të tretë, ata krijuan obligime të kundërligjshme dhe e mashtruan Fondin e Sigurimit Shëndetësor të RMV-së që të kryejë pagesa të paligjshme. Në këtë mënyrë kanë siguruar përfitime të mëdha për furnitorët e barnave në një shumë prej mbi 430 milionë denarësh.

Sipas aktakuzës:
“Akuzuarit, në procedurat e prokurimeve publike për barna – terapi biologjikisht aktive, terapi molekulare të synuar dhe antitrupa monoklonalë – kanë blerë barna me riverse pa pasur bazë ligjore për këtë, e më pas për mbulimin e atyre riverseve kanë zhvilluar procedura prokurimi publik, të cilat kanë qenë të pajustifikuara pasi furnitorët i kanë faturuar barnat e dhëna më parë me riverse. Pa dokumentacion të plotë, të besueshëm dhe të vërtetë, të akuzuarit kanë mundësuar verifikimin e riverseve përmes prokurimeve publike. Me këto veprime të paligjshme, ata kanë krijuar obligime të kundërligjshme për Fondin, i cili është mashtruar duke menduar se buxheti i miratuar ishte për obligime ligjore, e jo për mbulimin e barnave të siguruara në mënyrë të paligjshme. Për këtë arsye, Fondi çdo vit miratonte buxhet të kushtëzuar për Klinikën, prej të cilit paguheshin këto barna.”

Po ashtu, drejtori mjekësor, me ndihmën e drejtorit organizativ, ka kryer edhe veprën penale – përvetësim në shërbim, pasi ka blerë sasi barnash që synonte t’i përvetësonte. Pas nënshkrimit dhe aprovimit personal, një pjesë të barnave i shënonte si të shpërndara, por nuk i aplikonte te pacientët për të cilët ishin porositur. Në këtë mënyrë, është konstatuar diferencë mes sasive të regjistruara dhe atyre realisht të shpërndara, me një vlerë prej rreth 2 milionë denarësh.

“Kjo është konstatuar te 9 pacientë, për të cilët janë shënuar fiktivisht pesë lloje të ndryshme barnash. Përveç kësaj, drejtori mjekësor, duke shfrytëzuar mospërputhjet mes gjendjes së stokut në evidencën kontabël dhe atë materiale, si dhe mospërputhjet midis të dhënave mujore për barnat e shpërndara nga farmacia dhe ato të pranuara në njësitë organizative të Klinikës, ka përvetësuar një pjesë të barnave që klinika duhej t’i kishte në stok. Bëhet fjalë për flakona dhe tableta të nëntë barnave – Herceptin, Avastin, Erbitux, Fulvestrant, Trasimera, Kadcyla, Oxaliplatin (50 dhe 100 mg) dhe Zelboraf – me të cilat ka siguruar përfitim të paligjshëm prej të paktën 13 milionë denarësh,” sqaroi Prokuroria.

Përveç këtij rasti, ndaj Vasevit dhe tre onkologëve të tjerë po zhvillohet edhe një proces tjetër për trajtim të papërgjegjshëm të pacientëve.

Vasev dhe të akuzuarit Simona Crvenkova dhe Dragan Jakimovski, të gjithë të punësuar në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup, në seancën e kaluar para gjykatës mohuan fajin, ndërsa e akuzuara e dytë, Meri Peshevska, e pranoi fajin. Për këtë arsye, gjykata e ndau procedurën ndaj saj dhe ajo pritet të vazhdojë më 17 shtator.

Mgid