Serbia kërkon nga UEFA të ndryshojë stadiumin për ndeshjen ndaj Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit 2026

Federata e Futbollit të Serbisë ka bërë kërkesë zyrtare ndaj UEFA-s për të zhvendosur ndeshjen ndaj Shqipërisë, e cila do të zhvillohet më 11 tetor 2025, për eliminatoret e Botërorit 2026.
Konfirmimi ka ardhur nga sekretari i përgjithshëm i FSS, Branko Radujko, i cili ka sqaruar arsyet e këtij ndryshimi.
Sipas tij, Federata serbe nuk dëshiron që ndeshja të zhvillohet në Beograd, për shkak të frikës nga trazirat dhe dhuna e mundshme në tribunat e stadiumit, duke marrë parasysh tensionet e mëparshme në përballjet mes dy kombëtareve.
Si alternativë, ata propozojnë Stadiumin Dubocica në qytetin e Leskovacit, të përuruar në vitin 2023 dhe me një kapacitet prej 8,136 vendesh.
Sipas Radujkos, ky impiant ofron një ambient më të sigurt dhe më të menaxhueshëm për një ndeshje me tension kaq të lartë, duke ulur rrezikun e incidenteve dhe duke lehtësuar punën e organeve të sigurisë.
Deri tani, Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka marrë asnjë komunikim zyrtar nga pala serbe ose nga UEFA lidhur me këtë propozim. Ndeshja, e planifikuar fillimisht në Beograd, mbetet ende në kalendarin e UEFA-s, duke pritur një vendim përfundimtar mbi vendndodhjen.
Ky zhvillim vjen pas një historie tensioni mes dy kombëtareve, ku ndeshjet e mëparshme kanë regjistruar incidente në tribunat e stadiumeve. Federata serbe duket se po tenton të shmangë çdo problem potencial dhe të krijojë një ambient më të qetë për lojtarët dhe tifozët.
Serbia mund të dënohet që mos të kenë tifozë pasi pati edhe tensione në ndeshjen e fundit të tyre me Anglinë, ku priten dënime nga UEFA.
Nëse UEFA miraton kërkesën, Dubocica do të shënojë një nga ndeshjet më të rëndësishme ndërkombëtare të zhvilluara në këtë stadium të ri.
Mbetet për t’u parë nëse UEFA do të pranojë propozimin e Serbisë dhe si do të reagojë Federata Shqiptare, e cila ka gjithashtu të drejtën e vet për të diskutuar ndryshimin e vendndodhjes së stadiumit.