Numri i viktimave nga sulmet ajrore të Izraelit ndaj objektivave në kryeqytetin jemenas Sana’a, dje në mbrëmje, është rritur të paktën në nëntë, raportoi sot agjencia zyrtare jemene SABA, duke cituar ministrinë e Shëndetësisë të drejtuar nga Houthi.
Sipas raportit, të paktën 174 persona janë plagosur, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe të urgjencës vazhdojnë kërkimet për viktima nën rrënoja dhe identifikimin e tyre.
Sulmet përkuan me një fjalim televiziv të udhëheqësit të grupit Houthi, Abdel-Malek al-Houthi. Ushtria izraelite tha se goditjet kishin në shënjestër një objekt “sigurie dhe inteligjence” të Houthi në Sana’a.
Operacioni u ndërmor pas një sulmi me dron të kryer mbi qytetin jugor izraelit Eilat, ku u plagosën 20 persona, dy prej tyre rëndë. Sipas autoriteteve izraelite, droni kishte origjinën nga Jemeni, dhe përgjegjësinë e mori lëvizja Houthi e mbështetur nga Irani.
Ushtria izraelite deklaroi se sulmet e djeshme ishin përgjigje ndaj goditjeve të përsëritura me dronë dhe raketa që Houthit kanë drejtuar kundër Izraelit.