Princi dhe Princesha e Uellsit mirëpritën Donald dhe Melania Trump sot në Windsor, teksa vizita e dytë historike shtetërore e Presidentit amerikan nisi zyrtarisht.

Princi William dhe Kate i pritën çiftin Trump në Walled Garden në pronën e Windsor-it, kur helikopteri presidencial Marine One mbërriti pak pas mesditës.

Si pjesë e disa elementeve ceremonialë të kësaj vizite, helikopteri u ul në lëndinën e kopshtit privat në Home Park-un.

William dhe Kate përshëndetën çiftin Trump dhe ecën një copë rruge me ta për të takuar Mbretin Charles III dhe Mbretëreshën Camilla jashtë Victoria House, duke shënuar fillimin e vizitës.

Mbretëresha kishte kaluar pasditen e djeshme duke pushuar në Kalanë e Windsor-it, pasi kishte hequr dorë nga pjesëmarrja në varrimin e Dukeshës së Kentit në Katedralen Ëestminster për shkak të sinusitit akut – por këshilltarët mbretërorë thanë se ajo ishte rikuperuar për të pritur çiftin Trump sot.

Orari pësoi një vonesë të vogël, pasi zoti Trump mbërriti pas kohës së planifikuar 11:55. Mbreti mbërriti me Mbretëreshën me makinën shtetërore Bentley në orën 12:02.

Camilla u fotografua e veshur me një fustan blu safir të ndezur, një pallto të përshtatur nga Fiona Clare dhe një kapelë nga Philip Treacy. Kate kishte zgjedhur një fustan nga Emilia Wickstead, një kapelë nga Jane Taylor dhe një broshë me pupla.

Presidenti doli më në fund nga helikopteri Marine One bashkë me bashkëshorten e tij Melania në orën 12:16, me një ceremoni muzikore për nder të tyre.

Muzika u interpretua nga Banda e Kalorësisë Mbretërore, e cila kishte veshur uniformat tradicionale shtetërore – të dizajnuara në shekullin e 17-të dhe të punuara me fije ari të pastër.

Më pas, çifti Trump iu bashkua Mbretit dhe Mbretëreshës, si dhe William dhe Kate, për një udhëtim me karrocë përmes pronës së Windsor-it drejt kalasë.

Mbreti dhe zoti Trump u panë duke biseduar. Mbretëresha dhe Zonja e Parë ishin në karrocën pas tyre, gjithashtu të angazhuara në një bisedë të ngrohtë.

Mgid