Zjarri në Trubarevë është shuar por tymosja vazhdon. Nuk ka djegie aktive, por ka tym të dendur që shpërthen përmes tokës dhe rërës nga vendet e mbuluara. Mbetet që të mbulohet edhe një pjesë tjetër e sipërfaqes së djegur.

“Ndodhem në Trubarevë, Komuna e Gazi Babës në Shkup. Pak metra larg nga zjarri i raportuar ditën e djeshme rreth orës 13:00. Zjarri vazhdon të jetë akoma aktiv, por i lokalizuar dhe tashmë mund të shikoni edhe eskavatorë këtu mbrapa meje të cilët përpiqen që të fikin edhe atë pak zjarr që ka mbetur, me një metodë ndryshe, gjegjësisht me rërë të imët. Rruga e cila të sjell këtu tek fabrika e përpunimit të mbetjeve elektronike është e bllokuar nga forcat policore dhe lejohen vetëm personat e autorizuar të futen deri këtu brenda. Gjithashtu ka edhe rekomandime për mbajtje të maskës. Sepse në këtë zonë me rreze 200 metra larg nga varta e zjarrit, është raportuar për ndotje të ajrit, ndërsa me rreze deri në 400 metra tashmë nuk ka grimca të cilat e ndotin ajrin dhe që mund të jenë të rrezikshme për banorët”, raporton Valon Sallai, gazetar.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, pret që sot zjarri të shuhet në përgjithësi.

“Kemi pasur disa zjarre të fabrikave dhe depove kimike por ky ishte më i rëndi në aspekt të dëmin deri tani. Mendoj se bëmë maksimumin. Sot duhet që zjarri të shuhet në përgjithësi, kur them të shuhet ai edhe tash është i shuar, nëse shkoni në vendngjarje zjarr nuk do të shihni, ka vetëm tym”, pohoi Stojançe Angellov – drejtor i DMSH.

Nga Ministria e brendshme informuan se në lidhje me zjarrin, po zhvillohen biseda me tre persona që janë pronarë ose menaxherë të objektit të djegur, me qëllim që të përcaktohen rrethanat dhe shkaqet e shpërthimit të zjarrit.

Ndryshe, zjarri në Trubarevë shpërtheu dje rreth orës 13:30, në objektin e kompanisë “F-Grupacija”, në territorin e Komunës Gazi Babë. Autoritetet njoftuan se në shuarjen e tij janë përfshirë të gjitha institucionet dhe mjetet e disponueshme.

Mgid