Sipas zyrtarëve amerikanë, deri në 200 trupa të SHBA-ve, të vendosur tashmë në Lindjen e Mesme, do të zhvendosen në Izrael për të ndihmuar në monitorimin e armëpushimit në Gaza.

Ushtria amerikane do të krijojë një forcë shumëkombëshe në Izrael, e njohur si Qendra e Koordinimit Civilo-Ushtarak, e cila pritet të përfshijë trupa nga Egjipti, Katari, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas deklaratave të tyre.

Siç shkruan BBC, një zyrtar i lartë tha se asnjë forcë amerikane nuk do të hyjë në Gaza, duke shtuar se roli i SHBA-ve është krijimi i një Qendre të Përbashkët Kontrolli që do të “integrojë” forcën shumëkombëshe që do të vendoset.

Qeveria izraelite ka miratuar fazën e parë të marrëveshjes me Hamasin për Gazën, e cila ka sjellë armëpushimin dhe lirimin e pengjeve dhe të burgosurve. Forca shumëkombëshe do të udhëhiqet nga Komanda Qendrore e SHBA-ve (Centcom), me bazë në rajon dhe ka për qëllim të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit si dhe të ndihmojë në koordinimin e ndihmës humanitare.

Kjo forcë do të informojë si izraelitët ashtu edhe Hamasin, përmes Egjiptit dhe Katarit, mbi situatën në terren dhe çdo shkelje të mundshme të armëpushimit, tha një nga zyrtarët. Forca po krijohet nën drejtimin e admiralit Brad Cooper, kreu i Centcom-it. Ai iu bashkua delegacionit amerikan për një pjesë të bisedimeve indirekte në Egjipt këtë javë, sipas një zyrtari.

Këto bisedime çuan në njoftimin e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, të enjten, se Izraeli dhe Hamasi kishin “miratuar fazën e parë” të një plani paqeje që ai prezantoi javën e kaluar.

Një nga pikat e planit 20 pikësh të Trump për Gazën përfshinte angazhimin e SHBA-ve me partnerë arabë dhe ndërkombëtarë për të zhvilluar një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit që do të vendosej menjëherë në Gaza, por kjo ende nuk është dakorduar mes palëve dhe do të ndodhë vetëm nëse realizohet shkëmbimi i pengjeve dhe të burgosurve.

Izraeli nisi luftën në Gaza si përgjigje ndaj sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, ku rreth 1 mijë e 200 persona u vranë dhe 251 u morën peng.

Që atëherë, ofensiva masive ushtarake e Izraelit ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 67 mijë palestinezëve në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në territor, përfshirë mbi 20 mijë e 100 fëmijë. Këto shifra konsiderohen të besueshme nga OKB-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com